Kampionia në fuqi e Evropës, Spanja, synon fitore ndaj Uruguait për avancim në fazën nokaut të Kupës së Botës si e para nga Grupi H.
Spanja i prin këtij grupi me katër pikë në dy ndeshje. Por ka dy më shumë se Uruguai i vendit të dytë dhe Kepit të Gjelbër që zë vendin e tretë.
Të gjitha katër përfaqësueset kanë gjasa për të avancuar në fazën nokaut.
Kepi i Gjelbër përballet me Arabinë Saudite.
Të dyja ndeshjet luhen nga ora 2:00 e mëngjesit të së shtunës, sipas kohës në Kosovë. Uruguai e Spanja luajnë në Guadalajara të Meksikës, ndërsa Kepi i Gjelbër me Arabinë Saudite në Houston.
Uruguai është dy herë fitues i Kupës së Botës, në edicionet 1930 dhe 1950, derisa Spanja është një herë fituese e ngjarjes globale, në vitin 2010.
Spanja e fiton grupin me fitore ndaj Uruguait. Por edhe barazimi do të ishte i mjaftueshëm nëse Kepi i Gjelbër nuk e mposht Arabinë Saudite me pesë apo më shumë gola dallim. Uruguai bëhet fitues i grupit vetëm nëse fiton ndaj spanjollëve.
Kepi i Gjelbër që ka dy pikë mund të avancojë në fazën nokaut në debutimin përrallor, nëse fiton ndaj Arabisë Saudite. Edhe barazimi do të mund të mjaftonte, por gjithçka do të varej nga rezultatet e tjera.
Arabia Saudite e ka vetëm një mundësi për të avancuar në fazën nokaut, nëse fiton ndaj Kepit të Gjelbër dhe nëse Uruguai nuk e mposht Spanjën.

