John Bolton, ish-këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump dhe një nga kritikët e tij më të zëshëm, është deklaruar fajtor për mbajtje të paligjshme të informacionit të klasifikuar.
Bolton fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm ndaj 18 akuzave që lidhen me trajtimin e papërshtatshëm të materialeve sekrete. Megjithatë, të premten ai pranoi fajësinë për një akuzë të vetme që lidhet me ruajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas prokurorëve, dokumentet përfshinin shënime personale dhe ditarë me informacione që lidhen me mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara, disa prej të cilave ishin të klasifikuara në nivelin “top sekret”.
Bolton rrezikon deri në pesë vjet burg dhe ka pranuar të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh. Ai gjithashtu do të zhvillojë një proces informimi me zyrtarët e sigurisë kombëtare lidhur me materialet e mbajtura në mënyrë të paligjshme dhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet.
Gjatë seancës gjyqësore, pasi gjykatësi lexoi akuzat, përfshirë pretendimet se Bolton kishte dërguar shënime me informacione të ndjeshme edhe te anëtarë të familjes së tij, ai pranoi se faktet ishin të sakta.
“Po, e bëra, i nderuar gjykatës”, tha Bolton, duke shtuar se i vinte keq për veprimet e tij.
Dënimi ndaj tij pritet të shpallet më 28 tetor.
Prokurorja amerikane Kelly Hayes deklaroi se Bolton ishte plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si duhej të trajtohej informacioni i klasifikuar dhe për dëmet që mund t’i shkaktoheshin sigurisë kombëtare nga keqmenaxhimi i tij.
Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Donald Trump në vitin 2019. Një vit më vonë ai publikoi librin “The Room Where It Happened”, ku përshkroi përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe kritikoi ashpër ish-presidentin.
Pas publikimit të librit, Departamenti amerikan i Drejtësisë nisi hetime për të verifikuar nëse Bolton kishte zbuluar informacion të klasifikuar. Aktakuza pretendon gjithashtu se ai kishte ndarë materiale sekrete me dy të afërm dhe se, në një moment, një haker kishte depërtuar në llogarinë e tij ku ruheshin dokumentet.
Megjithatë, ish-prokurorë federalë dhe ekspertë të tjerë ligjorë kanë deklaruar për BBC se rasti i Boltonit ndryshon nga procedurat e tjera penale ndaj kritikëve të Donald Trumpit, për shkak të provave të mbledhura nga prokurorët.
Një person i njohur me marrëveshjen e pranimit të fajësisë i tha BBC-së se “ambasadori ka pranuar atë që ka bërë”. Sipas të njëjtit burim, Bolton ishte gjithashtu i vetëdijshëm se, nëse do të vazhdonte ta luftonte çështjen në gjykatë, mund të bëheshin publike informacione të tjera të klasifikuara gjatë mbrojtjes së tij, gjë që ai nuk dëshironte ta lejonte për të mos dëmtuar interesat e Shteteve të Bashkuara.
Carrie Cordero, studiuese e lartë në “Center for a New American Security”, tha se ndjekja penale ndaj një zyrtari kaq të lartë për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara është një rast i rrallë, por jo i paprecedent.
“Sistemi i drejtësisë ka ndjekur penalisht, herë pas here, si zyrtarë të nivelit të ulët ashtu edhe të nivelit të lartë për raste që përfshijnë informacione të klasifikuara, ndonëse këto procese janë të ndërlikuara”, u shpreh ajo.
Para se t’i bashkohej administratës së Donald Trumpit, Bolton shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara gjatë presidencës së George W. Bush. Ai ishte gjithashtu në mesin e ish-zyrtarëve kritikë ndaj Trumpit, të cilëve në janar iu hoq mbrojtja nga Shërbimi Sekret Amerikan.

