Policia e Kosovës ka ekspozuar të mërkurën armatimin, municionet dhe pajisjet ushtarake të sekuestruara gjatë bastisjeve në veri të vendit, ndërsa autoritetet kanë ngritur dyshime se disa prej këtyre armëve mund të jenë përdorur në krime të luftës, përfshirë rastin e 23 shqiptarëve të zhdukur në vitin 1999.
Gjatë bastisjeve në 48 lokacione, Policia tha se ka gjetur armë të gjata, armë të shkurtra, pushkë gjuetie, municione, mjete shpërthyese, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera.
Armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme, në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, në afërsi të vendeve ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri lokacione me mbetje mortore.
Disa nga municionet e ekspozuara duken të ndryshkura, ndërsa autoritetet kanë bërë të qartë se pamja e tyre nuk është dëshmi se janë përdorur në ndonjë krim. Për këtë arsye, e gjithë prova do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara laboratorike.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armatimi do të analizohet për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me rastet kriminale që janë duke u hetuar.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara”, tha Sveçla.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik, pas një hetimi dyvjeçar për dyshime mbi krime lufte.
Sipas Sveçlës, në tri lokacione janë gjetur mbetje mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur mbetjet e 13 personave, në të dytin katër dhe në lokacionin e tretë gjashtë.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se këto mbetje mund t’i përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur në vitin 1999, të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.
Në këtë grup kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se ekziston dyshimi se një pjesë e armëve të gjetura mund të jenë përdorur në rastin e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
Megjithatë, ai theksoi se ky është vetëm një dyshim dhe se duhet të verifikohet përmes ekzaminimeve.
Sipas tij, armët do të analizohen në laboratorët e Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, edhe jashtë vendit.
Sveçla tha se zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai deklaroi se veriu i Kosovës, përveçse ishte skenë e krimeve ndaj civilëve, ishte përdorur edhe për fshehjen e trupave dhe gjurmëve të krimeve.
Ai shtoi se puna e institucioneve do të vazhdojë me identifikimin e viktimave, zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.
Pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile. Të tre ndodhen në paraburgim.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se mbetjet mortore të gjetura në tri lokacionet do t’i nënshtrohen procedurave të identifikimit.
Gjatë konferencës, Sveçla përsëriti kërkesën që Serbia të hapë arkivat e saj ushtarake, me qëllim që të ndihmohet zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas të dhënave të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës.
Autoritetet theksuan se lidhja mes armatimit të sekuestruar dhe 23 personave të gjetur në lokacionet e gërmimeve ende nuk është vërtetuar dhe pritet të përcaktohet përmes ekzaminimeve forenzike.
The post Armatimi i kapur dhe varrezat masive në Zubin Potok – gjithçka që u tha dje nga autoritetet appeared first on Gazeta Express.

