Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar se mungesa e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore në trajtimin dhe hetimin e krimeve të luftës.
Duke folur në “Five” te Dukagjinit për trajtimin e krimeve të luftës, Blakaj tha se vitet e fundit është shënuar një rritje e numrit të aktakuzave ndaj personave të dyshuar për krime lufte, përfshirë edhe rastet e ngritura ndaj personave që nuk ndodhen në Kosovë.
“Viteve të fundit kemi parë një shtim të aktakuzave për krime lufte, përfshirë edhe aktakuzat ndaj personave në mungesë. Jemi dëshmitarë të arrestimeve dhe të një numri më të madh të proceseve gjyqësore që po zhvillohen”, tha Blakaj.
Megjithatë, sipas tij, këto procese po përballen me vështirësi të shumta, ndërsa njëra nga pengesat më të mëdha mbetet mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Serbinë.
“Kjo sfidë u konfirmua edhe nga panelistët gjatë debatit. Në shumicën e rasteve, personat e dyshuar për krime lufte nuk ndodhen në territorin e Kosovës dhe nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë”, theksoi ai.
Blakaj shtoi se për shkak të pamundësisë për t’i sjellë të dyshuarit para drejtësisë, Prokuroria shpeshherë nuk ka alternativë tjetër përveç zhvillimit të gjykimeve në mungesë.
“Në këto rrethana, Prokurorisë nuk i ka mbetur instrument tjetër përveç procedimit të rasteve dhe gjykimit në mungesë të të akuzuarve, me qëllim që krimet e luftës të mos mbeten pa u trajtuar nga sistemi i drejtësisë”, deklaroi Blakaj.

