Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nderim Mustafa, ka kritikuar vazhdimësinë e zgjedhjes së të njëjtëve persona për deputet.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka falënderuar qytetarët që e kanë mbështetur dhe votuar, duke shprehur mirënjohje për besimin e tyre.
Ai ka ngritur pyetjen se si mund të pritet ndryshim në vend, kur, sipas tij, qytetarët vazhdojnë t’i votojnë të njëjtët politikanë si në pushtet ashtu edhe në opozitë.
Mustafa ka theksuar se ndryshimi nuk vjen vetvetiu, por përmes votës së lirë dhe të vetëdijshme të qytetarëve, duke shtuar se ajo nuk duhet të ndikohet nga presionet apo interesat personale.
“Por sot kam një pyetje për të gjithë: Çfarë pret populli i Kosovës kur vazhdon t’i votojë të njëjtët njerëz, si në pozitë ashtu edhe në opozitë? Si mund të presim ndryshim kur në skenën politike vazhdojnë të qarkullojnë të njëjtët emra, të njëjtat premtime dhe të njëjtat zhgënjime? Ndryshimi nuk vjen vetvetiu. Ndryshimi vjen përmes votës së lirë të qytetarit. Jo përmes votës së dirigjuar. Jo përmes presioneve. Jo përmes interesave personale”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kosova duhet të zgjedhë njerëz me vizion dhe rezultate konkrete, e jo politikanë që, sipas tij, kanë qenë gjatë në skenë pa sjellë ndryshime të mjaftueshme.
Mustafa ka theksuar se respekti për çdo votë dhe qytetar mbetet i rëndësishëm, duke shtuar se “lufta për një Kosovë më të mirë vazhdon”.

