Më shumë se 1.800 lajme manipuluese janë publikuar gjatë vitit 2025 në ballinat e gjashtë gazetave ditore pranë pushtetit në Serbi, sipas një analize të organizatës Raskrikavanje.
Një nga të dhënat më domethënëse është se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, është shfaqur mbi 1.000 herë në faqet e para të tabloideve, pa u paraqitur asnjëherë në dritë negative.
Sipas analizës, Vuçiqi është portretizuar pozitivisht në 88 për qind të rasteve, ndërsa në gazetën Kurir kjo përqindje ka arritur në 100 për qind.
Ai ka qenë lajmi kryesor në ballinat e Srpski Telegraf 253 herë, Kurir 236 herë, Alo 202 herë, Informer 185 herë, Veçernje Novosti 171 herë dhe Politika 125 herë.
Anëtarja e Komisionit për Ankesa pranë Këshillit të Shtypit, Tamara Skroza, tha se këto rezultate, ndonëse jo befasuese, tregojnë se regjimi ka hyrë në fazën përfundimtare të sundimit.
“Sistemi ka hyrë në të ashtuquajturën fazë baroke, kur gjithçka bëhet e tepruar dhe përtej kufijve të shijes së mirë. Numri dhe mënyra e paraqitjes së Vuçiqit nuk mund të interpretohen ndryshe”, tha ajo.
Sipas të dhënave të monitorimit të BIRODI-t, situata në televizionet me frekuencë kombëtare është edhe më e theksuar në favor të pushtetit.
Monitorimi i televizioneve me mbulim kombëtar tregoi se Vuçiqi është paraqitur si lajm plot 85.706 herë gjatë vitit të kaluar. Prej tyre, 27.814 raste ishin raportime të tipit “deklaroi”, “njoftoi” ose “premtoi”, ndërsa në afro 2.300 raste ai ishte lajmi kryesor.
Drejtori i Byrosë për Hulumtime Shoqërore (BIRODI), Zoran Gavriloviq, vlerësoi se këto të dhëna tregojnë se qytetarët e Serbisë nuk e gëzojnë të drejtën kushtetuese për informim të plotë, të saktë dhe në kohë.
“Kur një aktor paraqitet kaq shpesh dhe pothuajse gjithmonë pozitivisht, mediat nuk e kryejnë më funksionin e tyre themelor për të hetuar, analizuar dhe vënë në pikëpyetje pushtetin, por shndërrohen në promovuese të tij”, tha ai.
Në raport përmendet edhe mënyra si janë trajtuar studentët protestues. Në televizionet kombëtare ata janë përmendur në kontekst negativ si “bllokues” gjithsej 34.628 herë. Vetëm në Pink ky term është përdorur 22.942 herë, në B92 5.887 herë, në Prva 4.714 herë, në RTS 730 herë dhe në Happy 355 herë.
Po ashtu, shprehja “bllokues të kolltuqeve” është përdorur 358 herë, “bllokues terroristë” 490 herë dhe “dhunë e bllokuesve” 980 herë.
Sipas BIRODI-t, studentët në bllokada janë përmendur gati 82.000 herë gjatë vitit 2025, kryesisht në Pink dhe RTS.
Raporti evidenton edhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale si burim lajmesh. Televizionet kombëtare kanë transmetuar 2.683 lajme të bazuara në postime nga rrjetet sociale, kryesisht nga Instagrami, ndërsa vetëm Pink e ka bërë këtë 875 herë gjatë vitit.
Gavriloviq tha se Vuçiqi ka bashkuar në të njëjtën makineri propagandistike televizionet dhe rrjetet sociale, duke iu drejtuar votuesve më të moshuar përmes mediave tradicionale dhe të rinjve përmes Instagramit.
Ai shtoi se të gjitha këto të dhëna i janë dorëzuar delegacionit të Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian gjatë vizitës së tij në Serbi.
Sipas tij, rezistenca e pushtetit për formimin e një organi të pavarur rregullator të mediave lidhet drejtpërdrejt me këtë gjendje, ndërsa reforma në sektorin mediatik mbetet një nga kushtet kryesore për vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë.
Ndërkohë, Sasha Mirkoviq, themelues i Asociacionit të Mediave Elektronike të Pavarura (ANEM), tha se rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë gjendjen e rëndë të skenës mediatike në Serbi dhe nivelin e manipulimit nga pushteti.
Ai vlerësoi se shifrat janë veçanërisht domethënëse pasi vijnë në një vit të mbushur me tensione politike dhe shoqërore, kur pushteti është përballur me pakënaqësi dhe protesta të gjera qytetare.
Sipas Raskrikavanje, viti 2025 ka qenë rekord edhe për numrin e lajmeve manipuluese në shtyp. Gazeta Alo kryeson me 529 lajme të tilla, e ndjekur nga Informer me 399, Srpski Telegraf me 294, Politika me 253, Veçernje Novosti me 197 dhe Kurir me 191.
Organizata thekson se këto gjashtë media të shtypura kanë përfituar së bashku më shumë se një milion euro nga buxheti publik gjatë vitit 2025.
Në televizionet kombëtare, Vuçiqi ishte më së shpeshti lajmi kryesor në Happy TV, plot 896 herë, dhe në Pink 614 herë. Në B92 ai ishte lajmi kryesor 285 herë, në RTS 228 herë dhe në Prva 209 herë gjatë vitit 2025. /Danas

