By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: “Pse shkruaj?” – “Sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur” – Shkrimtari i madh zviceran Max Frisch në veten e parë
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
“Pse shkruaj?” – “Sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur” – Shkrimtari i madh zviceran Max Frisch në veten e parë
TOP Momenti

“Pse shkruaj?” – “Sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur” – Shkrimtari i madh zviceran Max Frisch në veten e parë

Momenti
Published: May 31, 2026

“Pse shkruaj?” – “Sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur” – Shkrimtari i madh zviceran Max Frisch në veten e parë

Max Frisch u lind më 15 maj 1911 në Zürich. Po këtu vdiq më 4 prill 1991. Në vitin 1933 vizitoi Kosovën. Por kjo është vetëm një fusnotë në biografinë e tij të bujshme. Në këtë tekst, të shkëptur nga seria „Autorët rrëfejnë“ të televizionit gjerman SWR, Frisch flet për gati të gjitha temat e rëndësishme të jetës. Një mësim brilant për çdo njeri.

Your browser does not support the video tag.

Max Frisch dhe bota shqiptare. Në vitin 1933 Max Frisch ishte 22-vjeçar. Djalë i ri, me një fjalë. Një zviceran nga Zürichu që pas vdekjes së babait përpiqej të fitonte pak para me punë gazetareske. Kështu synonte të ndihmonte nënën e tij. 1933: është viti kur në Berlin kancelar u bë Adolf Hitleri. Max Frischi vendosi të vizitojë Ballkanin. Qëndroi në Sarajevë e Dubrovnik, pastaj në Pejë, Deçan, Shkup e Ohër. Ky udhëtim e inspiroi të shkruajë romanin e parë. Dramat e tij si “Andorra” apo “Bidermani dhe zjarrvënësit” vazhdojnë të luhen në skenat teatrore të Kosovës.

Më 6 qershor 1933 Frisch i shkruante nga Dubrovniku nënës së tij në Zvicër se e kishte ndërmend të udhëtonte në disa vise të Ballkanit ku rrallëherë shkelin europianët. Për ta qetësuar nënën e tij, e cila frikësohej se në Ballkan mund t’i ndodhte diçka e keqe të birit të tij, Frisch pas disa ditësh i dërgonte asaj një kartolinë, përmes së cilës e njoftonte se udhëtimi me veturë po shkonte mirë, sot në Shkup, nesër, vazhdonte Frisch, do të udhëtojmë pranë Liqenit të Ohrit në kufi me Greqinë. Një ditë më vonë Frisch prapë i shkruante nënës së tij, me plot entuziazëm: “Përshëndetje të përzemërta nga liqeni i Ohrit, ku kemi arritur pas një udhëtimi madhështor nëpër një vend interesant. Trevë e mrekullueshme në kufi me Greqinë”.

Your browser does not support the video tag.

Për të imagjinuar botën e tij krijuese, në vijim po sjellim mendimet që Max Frisch i ka dhënë mbi shumë tema të rëndësishme të jetës. Këto mendime pastaj janë dokumentuar nga televizioni gjerman SWR në kuadër të serisë „Autorët rrëfejnë“.

Shkrimtari zviceran Max Frisch u lind në Zürich. Që kur ishte nxënës shkruante pjesë teatrore, të cilat megjithatë nuk u shfaqën kurrë. Ai studioi gjuhë dhe letërsi gjermane, por më pas u bë arkitekt si babai i tij.

Nga mesi i të dyzetave, u largua nga zyra e tij e arkitekturës dhe nga familja dhe iu përkushtua tërësisht shkrimit. Me tregimet, romanet, pjesët teatrore dhe ditarët e tij, Frisch u bë i njohur edhe përtej kufijve të Zvicrës, sidomos me këto vepra: Biedermann und die Brandstifter (Bidermani dhe zjarrvënësit), Andorra, Stiller (Shtiler), Homo Faber.

Max Frisch u mor me çështjen e identitetit të tij, me marrëdhëniet midis gjinive dhe me ndërveprimin midis jetës dhe fiksionit. Ai filloi të mbante gjithnjë e më shumë një qëndrim kritik ndaj ngjarjeve politike të kohës dhe ndaj vendit të tij të lindjes, Zvicrës. Max Frisch jetoi kryesisht në Zvicër, por edhe herë pas here për periudha më të gjata jashtë shtetit – pesë vjet i kaloi në Romë.

Si ju pëlqen në Romë?

Max Frisch (1961): Natyrisht që nuk jam i pari që jetoj me entuziazëm në Romë. Kam jetuar në qytetin ku u linda, në Zürich, dhe një herë nja një vit në New York dhe në San Francisco. Ishte e mrekullueshme, por në fakt ishte një kohë shumë e vështirë, dhe tani po jetoj përsëri jashtë atdheut tim, këtu në Romë. Jemi pikërisht në Trastevere, pas një dreke shumë të bukur, dhe jemi ulur përpara një prej shatërvanëve të shumtë e shumë të bukur të Romës.

Por ajo që më entuziazmon dhe më bën të lumtur në Romë, domethënë që më jep dëshirë për punë, natyrisht që nuk është vetëm ajo që ju njihni apo keni parë nga Roma – madhështia e Romës, monumentet – dhe as vetëm populli, të cilin e kam shumë qejf, por thjesht fakti që po jetoj një herë diku tjetër. Kam jetuar tridhjetë vjet në qytetin tim të lindjes, ku natyrisht njeh çdo gjë dhe, çka është edhe më keq, njihesh nga shumë njerëz; domethënë, bie në thonjtë e rutinës, e përditshmja ndjek rrjedhën e vet, madje edhe nga brenda reagimet janë të parashikueshme. Ndërsa përmes ndryshimit që ndodh ngaqë jeton në një qytet tjetër, ngaqë duhet ta ndërtosh përsëri nga e para jetën tënde të përditshme, këto ndryshime janë aq stimuluese dhe nxitëse për punën.

Sidoqoftë, kam kaluar një kohë shumë të mrekullueshme tani, shtatë muajt e parë në Romë; ishte dimër, mbante shi, jo edhe aq bukur, dhe po mendoj gjithashtu të qëndroj më gjatë në Romë. Kjo është natyrisht një situatë shumë fatlume: jam zviceran, pra kam një atdhe, por tani nuk jetoj në të; jetoj në Romë, në qytetin më të mrekullueshëm të botës, më lexojnë në Gjermani dhe jetoj falë lexuesve të mi gjermanë. Mund të them vetëm se kjo është një situatë shumë fatlume.

Dhe pastaj hyjmë në trafikun e Romës, të cilin e pëlqej shumë. Nuk ka shumë kohë që ngas veturën, kështu që jam fillestar; kisha pak frikë nga trafiku famëkeq i Romës, por e dua shumë atë sepse është shumë sportiv dhe shumë korrekt, me humor, fleksibël. Nuk funksionon si te ne nga këndvështrimi juridik se kush vjen nga e djathta apo kush vjen nga e majta, por e ndjen si në një dialog të gjallë se kush po ecën përpara dhe kush po qëndron pas. I dau pa masë policiët këtu, sepse janë vërtet të gatshëm të të ndihmojnë – nuk ta bëjnë Gjyqin e Fundit, por e nxisin rrjedhshmërinë e trafikut.

A ka këtu vende me rëndësi të veçantë për ju?

Max Frisch: Kjo është Via Appia, rruga e madhe nga Roma për në Brindisi, nga ku u nisën ushtritë dhe nga ku u kthyen, me varret majtas e djathtas. Tani po arrijmë te një kodër që për mua ka një rëndësi të veçantë. Ajo luan një rol në një prej romaneve të mia, te Homo Faber. Kjo është kodra ku Homo Faber zbulon se vajza që ai dashuron është vajza e tij e vetme. Dhe ndonëse kjo natyrisht nuk ka ndodhur kurrë, megjithatë kur e shoh, më duket sikur të ishte një monument, të paktën për punën time.

Kam qenë në Via Appia si shumë i ri, dhe kur po shkruaja këtë vepër, mendova për të. Pastaj, rastësisht, pata edhe fatin të vija në Romë, shëtita këtu, u ula mbi një kodër, pa menduar ende për këtë skenë, dhe thjesht më vonë e dita saktësisht situatën. Kjo është shumë e rëndësishme për një libër të shkruar nga një njeri që vjen nga bota e teknikës, nga një njeri i fakteve konkrete: që gjërat të përputhen saktësisht, që të mos jenë të përafërta.

Pse shkruani?

Max Frisch: Pse shkruaj? Kjo është ajo pyetja e famshme e vështirë, apo jo? Shkruaj sepse kam dëshirë, e thënë disi në mënyrë banale; sepse duhet të bëj diçka, siç ka thënë Faulkner: „to make money“ (për të bërë para); e thënë në mënyrë pak më patetike: sepse është e vështirë ta durosh jetën pa u shprehur. Nuk besoj se shkruaj për të arritur diçka në botë, për ta ndryshuar botën, për t’u dhënë mend njerëzve – mbase e kam bërë këtë dikur, këtë tipar didaktik që shihet brenda. Pastaj, një burim tjetër, nevoja për të shkruar, është komunikimi. Njeriu nuk dëshiron të jetë vetëm, apo jo? Dëshiron të dijë nëse edhe njerëzit e tjerë ndihen në mënyrë të ngjashme përballë pyetjeve dhe problemeve të kohës. Por thjesht, në fillim fare qëndron një dëshirë krejt naive për të krijuar diçka.

Kam lexuar aq shpesh se jam një moralist, saqë pothuajse duhet ta besoj; nuk është se më vjen mirë, por ndoshta kështu do të jetë, nëse e thotë kritika.

Si u bëtë shkrimtar?

Max Frisch: Të rrëfesh jetën tënde është natyrisht një gjë delikate. Ose e kthen në anekdotë, ose në të vërtetë as që të intereson edhe aq shumë: i lindur në Zürich më 1911, shkollim normal, në fakt një jetë mjaft jointeresante. Dhe që si 16-vjeçar kam shkruar gjithashtu pjesë teatrore, shumë madje, të cilat i dërgova edhe në teatër; m’i kthyen mbrapsht me letra me ton shumë të sjellshëm, e unë as që e dija se çfarë nderi ishte ky.

Tani po kalojmë mbi kalldrëmin e Romës, mbi të cilin kanë kaluar legjionet, prandaj duhet të ecim pak ngadalë.

Në fillim studiova, siç thashë, gjermanistikë, pastaj vura re se në këtë aspekt nuk vlej fare për letërsi. Jam lexues shumë i keq, kam lexuar gjithmonë vetëm të njëjtat gjëra që kam dashur – ato i lexoja, ndërsa të tjerat thjesht nuk i lexoja. Pastaj erdhi vdekja e babait, nuk kisha më para, i ndërpreva studimet, pastaj u bëra gazetar dhe udhëtova këtu e atje, dhe asokohe gazetar në nivelin më modest, domethënë si raporter i sportit. Dhe kur isha 24 ose 25 vjeç, njihja një vajzë, e cila një herë më tha me shumë të drejtë: E di çfarë, ti je një askush.

Atëherë u desh të mendohesha se çfarë profesioni mund të zgjidhja; pastaj pata fatin të kisha një mik që më dha paratë për të jetuar katër vjet, dhe zgjodha atë që më dukej më e arritshme për mua – im atë ishte arkitekt – arkitekturën, që është në fakt një profesion krejtësisht i mrekullueshëm. Vetëm se rreth të 40-tave konstatova se njeriu nuk mund t’i bëjë të dyja menjëherë, sepse të dyja profesionet kërkojnë thjesht përkuhstim të plotë. Kështu, rreth moshës 42-vjeçare fillova të jem vetëm shkrimtar, prandaj në këtë drejtim jam një shkrimtar shumë i ri.

Si ndikoi zhvillimi juaj profesional në shkrim?

Max Frisch: Kur isha 27 vjeç, e dija se nuk doja më të shkruaja, se nuk do të shkruaja më. Siç po e shihni, nuk iu përmbajta këtij përbetimi. Atëherë, gjithçka që kisha shkruar, e dogja. Dhe kjo ishte gjithashtu shumë mirë; nuk besoj se aty humbi diçka shumë e çmuar, por me këtë fitova një çlirim të madh. Pastaj për shumë vite nuk shkrova, u bëra arkitekt.

E vazhdova më tej profesionin e arkitektit edhe kur fillova të shkruaja përsëri – nuk dua të bëj një rregull nga kjo, për shkrimtarët e tjerë mund të jetë krejt ndryshe – sepse për mua ishte shumë e rëndësishme të hyja në kontakt real me botën ose me shoqërinë. Domethënë, mbi punëdhënësit, punëmarrësit, këto gjëra; mbi paratë, ekonominë; të mos kisha njohuri dhe opinione vetëm nga librat, por fare thjesht nga përvoja ime. Kjo do të thotë: të jesh i punësuar, ta dish se çfarë shije ka kjo; pastaj përvoja se si është kur je vetë bosi, shefi, ta dish se çfarë shije ka kjo, gjë që nuk është aspak e lehtë, aspak e thjeshtë.

Si punoni?

Max Frisch: Më parë, kur isha arkitekt dhe shkruaja paralelisht, isha një shkrimtar pas oraritë të punës ose i të dielave. Tani që kjo është kthyer në profesion, unë punoj – le të themi, nëse është një ditë normale pune, nëse nuk vjen ndonjë gazetar televizioni, nëse nuk vijnë vizita të tjera, miq apo njerëz të tjerë – nuk çohem edhe aq herët, rreth orës tetë.

Tani këtu në Romë, për shembull, dal në një bar, ha kafjallin sa për të parë pak njerëz, dhe në orën 9:00 ulem për të punuar. Por nuk e di paraprakisht se çfarë do të punoj, nëse do të bëj gjëra të reja apo do të ripërpunoj gjëra të vjetra; dhe në çdo rast punoj gjatë gjithë paradites. Pra, këtu në Romë, ku rrjedha e ditës është pak më ndryshe, kjo zgjat kështu deri në orën tre, aty vjen lodhja e parë, pastaj dal përsëri pak jashtë dhe punoj sërish pasdite. Në përgjithësi nuk punoj natën; kam nevojë për mëngjesin, kur njeriu është i zgjuar, kur është i freskët dhe kur është më shumë inteligjent.

Cila është për ju vepra juaj më e rëndësishme?

Max Frisch: Vepra ime më e rëndësishme… për këtë ekziston një thënie e mirë stereotipe: është ajo që po vjen. Por ju natyrisht e keni fjalën për veprat e mëparshme. Unë do të bëja një përzgjedhje mjaft të rreptë. Nga romanet do të pranoja Stiller, Homo Faber dhe Tagebuch (Ditarin). Nga pjesa tjetër duhet ta kurseni veten. Nga pjesët teatrore do të kërkoja të mbeteshin tri pjesë: pikërisht “Biedermani dhe zjarrvënësit”, drama e re “Andorra”, e cila vihet në skenë gjatë këtij viti, dhe një pjesë më të vjetër me të cilën kam pasur gjithmonë fat të keq, që është “Der Graf Öderland” (“Konti Öderland”). Ajo pati një premierë botërore në Zürich, që ishte një dështim i respektueshëm; pastaj më vonë e ripërpunova për Fritz Kortner (regjisor austriak teatri) dhe e luajtëm sërish në Frankfurt, e ai ishte një dështim edhe më i respektueshëm. Dhe tani këtu në Romë, ku kisha një dëshirë shumë të madhe për punë, i shtyrë nga asgjëja, papritur pata dëshirë ta shkruaja këtë pjesë përsëri brenda tri javësh. E shkrova sërish dhe tani kam një ndjesi mjaft të mirë, kështu që e llogaris ndër ato tri pjesë që do t’i lija të mbeteshin.

Si është marrëdhënia juaj me Friedrich Dürrenmatt?

Max Frisch: Dürrenmatt dhe Frisch. Besoj se na vjen inat të dyve që na përmendin vazhdimisht bashkë. Të dy jemi zviceranë, të dy shkruajmë pjesë teatrore dhe, çka është edhe më e rëndësishme për të dy ne, jemi miq. Unë këtu po pi duhan pikërisht nga një llullë, e cila është dhuratë nga Dürrenmatti. Por kjo miqësi, ajo ka natyrisht edhe një anë me humor, kemi folur së fundmi për këtë: nuk na mbetet gjë tjetër veçse miqësia. Sepse, nëse do të ishim në armiqësi me njëri-tjetrin, ky do të ishte një sensacion i madh për miqtë e tij, miqtë e mi, kundërshtarët e tij, kundërshtarët e mi, të cilët vetëm atë presin. Kështu që, në të vërtetë, ne jemi vërtet miq, por mbi të gjitha jemi të mallkuar të jemi miq.

Çfarë qëndrimi këni ndaj atdheut?

Max Frisch: Po, e di dhe e dëgjoj shumë shpesh edhe në Gjermani se jam shumë kritik ndaj Zvicrës, dhe disa bashkëatdhetarë ma kanë marrë edhe për të keq. Kjo është ashtu siç je kritik ndaj një qenieje që në parim e ke shumë për zemër, por që do të dëshiroje ta kishe edhe pak më të mirë sesa është, të cilën do të dëshiroje ta ndryshoje. Thjesht ajo që përshkruhet si një lidhje dashuri-urrejtje.

Çfarë e bën Zvicrën të vështirë? E thënë përsëri në mënyrë shumë të ashpër: megalomania dhe modestia. E thënë pak më butë ose ndryshe, ky është një vend që jeton nga e kaluara, që qëllimet e veta të mëdha i ka në të kaluarën; dhe unë besoj se qëllimet në përgjithësi qëndrojnë më tepër në të ardhmen. Për një kohë më ka interesuar tmerrësisht se si e mendon Zvicra të ardhmen, por kjo nuk i intereson edhe aq shumë, sepse zviceranët mbahen pas kësaj të „tanishmeje“, të cilën përpiqen ta ruajnë sa më shumë. Të ruash diçka është një gjë tmerrësisht e rëndësishme, por vetëm nga ruajtja ne nuk jetojmë; duhet të kemi një utopi, duhet të duam të kemi diçka tjetër, që mbase nuk është as më e mirë, por ne duhet të jetojmë duke shikuar përpara./Telegrafi/

Përktheu dhe plotësoi me shënime: Enver Robelli

telegrafi.com

You Might Also Like

Ky është teksti që familja e Vuçiqit donte ta hiqte me çdo kusht nga interneti – Nuk ia doli dot
Mijëra lëndë transferohen në Gjykatën Administrative, sfiduese kontestet e punës
MPB: Lejet për udhëtime jashtë vendit për të miturit do të lëshohen edhe të shtunave
Mjeku Ivanovski: Në momentet më të vështira, mendoni për dhurimin e organeve
Voziti 180 km/h në zonë 50 në Prishtinë, kapet nga policia

You Might Also Like

MPB paralajmëron ashpërsim të masave për përdorimin e trotineteve
TOP Momenti

MPB paralajmëron ashpërsim të masave për përdorimin e trotineteve

May 31, 2026
Në prag të sezonit turistik, Struga mbetet pa kuzhinierë, të kualifikuarit ikin jashtë vendit
TOP Momenti

Në prag të sezonit turistik, Struga mbetet pa kuzhinierë, të kualifikuarit ikin jashtë vendit

May 31, 2026
Lamallari për Zvërnecin: Prona është private, hetim për kompaninë e sigurisë deri në heqjen e licencës
TOP Momenti

Lamallari për Zvërnecin: Prona është private, hetim për kompaninë e sigurisë deri në heqjen e licencës

May 31, 2026
MPB: Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur shtatë denoncime për dhunë në familje, janë arrestuar katër persona
TOP Momenti

MPB: Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur shtatë denoncime për dhunë në familje, janë arrestuar katër persona

May 31, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?