Në Maqedoni është konfirmuar rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor për këtë vit, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave dhe shtimin e aktivitetit të mushkonjave, është e mundur të paraqiten raste të reja në periudhën e ardhshme.
Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftuan se bëhet fjalë për një 55-vjeçar nga Velesi, te i cili sëmundja kishte filluar me temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, lodhje të madhe dhe çrregullim të vetëdijes. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ku përmes analizave laboratorike është konfirmuar virusi “West Nile”.
“Pacienti aktualisht është në gjendje të përmirësuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, njoftuan nga ISHP.
Analizat epidemiologjike kanë treguar se personi nuk kishte udhëtuar jashtë shtetit dhe nuk kishte pasur kontakt me persona të tjerë me simptoma të ngjashme.
Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që më së shpeshti transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht nga llojet “Culex” dhe “Aedes”. Virusi qarkullon natyrshëm mes mushkonjave dhe shpendëve të egër, ndërsa njerëzit nuk e transmetojnë më tej sëmundjen.
Nga Instituti paralajmërojnë se tek shumica e të infektuarve nuk paraqiten simptoma, por tek një pjesë e pacientëve mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, skuqje në lëkurë, dhimbje muskujsh dhe lodhje e madhe.
“Në raste të rralla, sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze si inflamacion i trurit, inflamacion i cipave të trurit ose paralizë”, theksojnë nga ISHP.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se për këtë sëmundje nuk ekziston trajtim specifik apo vaksinë, prandaj parandalimi mbetet masa më e rëndësishme.
“Rreziku për popullatën aktualisht vlerësohet si mesatar, por mund të ulet ndjeshëm nëse qytetarët respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga mushkonjat”, thonë nga Instituti.
Ndër rekomandimet janë përdorimi i repelentëve, veshja me rroba me mëngë dhe mang të gjata, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe shmangia e qëndrimit jashtë në agim dhe në mbrëmje, kur mushkonjat janë më aktive.
Apel i veçantë u është drejtuar prindërve për mbrojtjen e fëmijëve, me rekomandim që rregullisht të hiqet uji i ndenjur nga oborret, vazot, gomat e vjetra dhe vende të tjera ku mushkonjat mund të shumohen.
Nga ISHP apelojnë që qytetarët menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse pas pickimit nga mushkonja ndjejnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, skuqje në lëkurë ose simptoma neurologjike.
