Nisma për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, e paralajmëruar së fundmi nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka hapur debat mbi mënyrën se si kjo strukturë do të organizohej dhe çfarë roli do të kishte në sistemin e sigurisë në vend.
Lidhur me këtë zhvillim, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, ka folur për Telegrafin, ku ka theksuar se ideja mund të ketë vlerë strategjike për Kosovën, por vetëm nëse ndërtohet mbi analiza të mirëfillta institucionale dhe të sigurisë.
Vrajolli tha se nga informacionet e disponueshme deri më tani, krijimi i Xhandarmërisë është një iniciativë e cila ende gjendet në një fazë të hershme konceptuale.
“Pra, është një ide në nisje e cila pritet të sqarohet tutje në muajt në vijim. Ne shpresojmë që Xhandarmëria të zhvillohet në bazë të një studimi të thelluar, siç është Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë, i cili, edhe ashtu, ka nevojë të fillojë sa më parë, për shkak se RSSS i fundit në Kosovë është kryer gjatë vitit 2013, ndërkohë që është publikuar në fillim të vitit 2014. Në këtë rast, Xhandarmëria do të mund të shërbejë si një mekanizëm për plotësimin e boshllëqeve ekzistuese në sistem, veçanërisht në menaxhimin e kërcënimeve në kufi dhe situatave me rrezik të lartë”, deklaroi ai.
Sipas tij, në kontekstin aktual të Kosovës, krijimi i një kapaciteti të avancuar të brendshëm të sigurisë ka logjikë strategjike.
“Në kontekstin aktual të Kosovës, ku ekziston një rrezik i vazhdueshëm sigurie nga Serbia dhe mundësi për incidente të tipit Banjska, si dhe duke marrë parasysh se KFOR ushtron një rol të rëndësishëm, por me mandat të përkohshëm, ideja e krijimit të një kapaciteti të brendshëm më të avancuar fiton një logjikë strategjike. Megjithatë, pa një studim të mirëfilltë të modelit, rreziku që kjo strukturë të mbetet një koncept abstrakt ose të krijojë konfuzion institucional mbetet i pranishëm”, tha Vrajolli për Telegrafin.
Duke folur për kompetencat e mundshme të Xhandarmërisë, ai vlerësoi se ekziston potencial për mbivendosje me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, por shtoi se kjo mund të menaxhohet përmes një analize të mirëfilltë institucionale.
“Duke qenë se nuk ekziston ende një plan i detajuar për strukturën dhe mandatin e Xhandarmërisë, është e natyrshme që aktualisht të ekzistojë pasiguri në lidhje me kufijtë e kompetencave të saj. Në këtë fazë, potenciali për mbivendosje me Policinë e Kosovës dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës është real dhe i pritur, sepse vetë ideja e Xhandarmërisë është të operojë në një zonë ndërmjet këtyre dy institucioneve”, ka theksuar më tutje Vrajolli.
Drejtori ekzekutiv i QKSS ka shtuar se nëse kjo iniciativë zhvillohet mbi bazë të një analize të mirëfilltë institucionale, mbivendosja mund të minimizohet.
“Është me rëndësi që, po qe se Xhandarmëria krijohet si institucion në vete, ajo të ketë një ndarje të qartë të përgjegjësive mbi bazën e natyrës së kërcënimit. Policia e Kosovës do të vazhdonte të mbulojë rendin publik dhe hetimet kriminale, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet e orientuar drejt zhvillimit të kapaciteteve ushtarake dhe mbrojtjes së nivelit strategjik. Në këtë mes, Xhandarmëria do të mund të fokusohej në operacione që kërkojnë kapacitete më të specializuara, si kontrolli i avancuar kufitar dhe menaxhimi i incidenteve të armatosura apo hibride”, ka theksuar tutje Vrajolli.
Ai shtoi se çelësi i suksesit nuk është eliminimi i plotë i mbivendosjes, por menaxhimi i saj përmes sinergjisë.
“Në shumë sisteme evropiane, struktura të ngjashme funksionojnë pikërisht duke ndarë përgjegjësitë sipas nivelit të rrezikut dhe jo vetëm sipas ndarjes formale institucionale. Për Kosovën, kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme nëse synohet që kjo strukturë të kontribuojë realisht në siguri dhe jo të krijojë fragmentim të mëtejshëm”, u shpreh ai.
Vrajolli foli edhe për përfitimet dhe sfidat që mund të sjellë kjo iniciativë për sigurinë dhe stabilitetin institucional në Kosovë.
“Përfitimi kryesor i kësaj nisme qëndron në mundësitë që Xhandarmëria do të krijonte në përforcimin e kapaciteteve të brendshme të sigurisë në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik. Kosova përballet me kërcënime që shpesh nuk janë të nivelit të një konflikti konvencional, por as të përballueshme lehtësisht vetëm me instrumente policore. Në këtë kuptim, një strukturë e specializuar mund të rrisë aftësinë e shtetit për të reaguar ndaj incidenteve të armatosura në kufi, për të menaxhuar situata destabilizuese dhe për të rritur prezencën shtetërore në zona të ndjeshme”, deklaroi ai.

Sipas Vrajollit, një tjetër dimension i rëndësishëm lidhet me rolin e ardhshëm të KFOR-it dhe nevojën për ngritjen e kapaciteteve vendore të sigurisë.
“Një tjetër përfitim lidhet me faktin se kjo iniciativë mund të shërbejë si përgatitje për një të ardhme ku roli i KFOR-it mund të zvogëlohet, duke krijuar një kapacitet të brendshëm më të qëndrueshëm”, tha ai për Telegrafin.
Ai shtoi se Xhandarmëria do të mund të krijonte një formë tjetër të bashkëpunimit institucional me forcat ndërkombëtare të sigurisë.
“Po ashtu, Xhandarmëria do të mund të përbënte një instancë ku bashkëpunimi dhe ndërveprimi me forcat e KFOR-it, sidomos në ruajtjen e vijës kufitare, përfshirë atë në veri, do të interpretohej jashtë asaj marrëveshjeje “xhentëlmene” në mes të ish-Presidentit të Kosovës dhe NATO-s për të mos dërguar trupat e FSK-së pa kërkesë të KFOR-it. Kjo pasi që tendenca është që kjo Xhandarmëri të formohet në kuadër të MPB-së, gjë që do të nënkuptonte se kjo forcë do të trajtohej më civile sesa po të ishte në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes”, u shpreh Vrajolli.
Megjithatë, ai theksoi se vlera reale e kësaj ideje do të varet nga mënyra se si do të zbatohet në praktikë.
“Andaj, si ide tingëllon mjaft interesante, përkundër faktit që kjo duket të jetë një ide e re e padiskutuar më parë në publik. Megjithatë, implementimi në praktikë i saj është ajo që ka rëndësi primare. Një vlerësim i detajuar dhe më i saktë i kësaj ideje do të mund të bëhej vetëm atëherë kur të definohen modelet konkrete se si do të dukej kjo forcë, gjë për të cilën, siç duket, nevojiten muaj para se kjo të ndodhë”, përfundoi ai.
Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. /Telegrafi/


