Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh përgjegjës për proceset e integrimit evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se puna për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve, por koordinimi kryesor bie mbi strukturat që merren me integrimin.
Në një postim në rrjetet sociale, Zulfaj ka vlerësuar angazhimin e zyrtarëve të integrimit evropian, duke thënë se puna e tyre e përditshme shpesh nuk është e dukshme për publikun.
“Puna për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është e përbashkët, e të gjitha institucioneve, por barra kryesore e koordinimit bie mbi zyrtarët nga strukturat e integrimit.”
Ai ka theksuar se procesi i integrimit përfshin një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës.
“Qindra e-maile dhe dhjetëra dokumente, telefonata e takime koordinuese shkëmbehen çdo ditë ndërmjet institucioneve dhe zyrtarëve të integrimit. Intensiteti i punës sa vjen e shtohet me shtimin e instrumenteve dhe afrimin e Kosovës me BE-në.”
Zulfaj tha se ka falënderuar zyrtarët për punën e tyre dhe ka diskutuar me ta për sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i integrimit.
“Për këtë punë të përditshme që bëjnë e që nuk shihet në publik, i falënderova dhe diskutuam së bashku për sfidat dhe mundësitë.”
Sipas tij, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore është njëkohësisht sfidë dhe mundësi për Kosovën në rrugën drejt BE-së.
“Kapitali njerëzor është sfidë dhe mundësi njëkohësisht. Sfidë, pasi reformat kërkojnë staf të mirëpërgatitur që mbulon çdo sektor në 33 kapitujt e integrimit me BE-në, të cilët mbulojnë çdo fushë të jetës.”
Ai ka shtuar se përgatitja profesionale dhe planifikimi janë faktorë kyç për shndërrimin e vizionit evropian në reforma konkrete.
“Mundësi, pasi përgatitja e mirë, planifikimi dhe angazhimi profesional e kthejnë vizionin në reforma dhe politika praktike që e sjellin ndryshimin më afër.”
Zulfaj ka theksuar se përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian është pjesë thelbësore e transformimit të vendit.
“Janë pikërisht reformat e përditshme, ligjet dhe aktet nënligjore të përafruara me ato të Bashkimit Evropian që sjellin transformim, forcojnë demokracinë, zhvillojnë vendin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve”, thotë ai.
Ai ka thënë se pikërisht ky synim i ndryshimit i motivon zyrtarët e integrimit evropian, shumë prej të cilëve kanë përfituar edhe nga programe studimore që lidhen me kapitujt e integrimit.
“Pikërisht tek ky ndryshim e gjejnë motivin zyrtarët e integrimit e ku pothuajse të gjithë janë përfitues të bursave për studime që mbulojnë kapitujt e integrimit”, shtoi ai.

