By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Zotat e IA-së në gjyq
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Zotat e IA-së në gjyq
Lajme

Zotat e IA-së në gjyq

Momenti
Published: May 15, 2026

Rafael Floqi

Në sallën e gjyqit të Oklendit nuk po gjykohej më vetëm një kontratë. Po gjykohej e ardhmja e species njerëzore. Në sallën e gjyqit të Oklendit nuk po gjykohej më vetëm një kontratë biznesi. Nuk ishte thjesht një përplasje mes dy miliarderëve të teknologjisë apo një debat mbi pronësinë intelektuale. Në atë sallë po zhvillohej një dramë më e madhe: përplasja mes ambicies njerëzore dhe frikës nga krijesa që vetë njeriu kishte ndërtuar. Elon Musku hyri i veshur me të zeza, me pamjen e një profeti modern të lodhur nga makinat që kishte ndihmuar të lindnin. Përballë tij qëndronte OpenAI, laboratori që dikur ishte prezantuar si një projekt idealist për të mbrojtur njerëzimin nga rreziqet e inteligjencës artificiale [IA], por që tani akuzohej se ishte kthyer në një perandori digjitale ku pushteti, kapitali dhe algoritmet ishin shkrirë në një të vetme. Musku deklaroi para jurisë se kishte investuar për të ndërtuar një mburojë për njerëzimin, ndërsa sipas tij, OpenAI kishte ndërtuar një fron.

Your browser does not support the video tag.

Në ekranet e sallës shfaqeshin kontrata, emaila, investime miliardëshe dhe marrëveshje komplekse juridike. Por, nën gjuhën e ftohtë ligjore fshihej pyetja më e rëndë e kohës moderne: kush do ta kontrollojë inteligjencën artificiale në momentin kur ajo të tejkalojë njeriun? Kjo pyetje e ktheu procesin gjyqësor në një metaforë të qytetërimit tonë. Nuk ishte më vetëm Musk kundër Altmanit. Ishte njerëzimi përballë pasqyrës së vet teknologjike. Avokatët e OpenAI-së nuk e lanë Muskun të paraqitej si shpëtimtar. Ata e sulmuan për projektin e tij rival, xAI, dhe për modelin Grok. “Nëse keni frikë nga zjarri”, i thanë, pse po ndërtoni një zjarr tjetër”? Pyetja e tyre zbulonte paradoksin e madh të Luginës së Silicit [Silicon Valley]: të gjithë flasin për rrezikun e IA-së, por askush nuk ndalet së ndërtuari modele edhe më të fuqishme. Vetë Musk pranoi se xAI kishte përdorur modele të OpenAI-së për trajnim, një moment që e bëri situatën edhe më ironike. Ishte sikur krijuesit e përbindëshave po akuzonin njëri-tjetrin për përdorimin e të njëjtit helm.

Jashtë gjykatës protestuesit mbanin pankarta ku kërkohej bojkotimi i ChatGPT-së dhe Tesla-s. Disa thërrisnin kundër korporatave, të tjerë kundër miliarderëve, ndërsa shumë prej tyre përdornin telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e IA-së për të organizuar protestën. Ky kontrast e bënte gjithë situatën tragjikomike: njerëzit po kërkonin shpëtim nga teknologjia duke përdorur teknologjinë.

Your browser does not support the video tag.

Kulmi absurd i procesit erdhi kur në sallë hyri një robot humanoid i paraqitur si “Dëshmitar Ekspert: Modeli 9.7 – Neutral, Etik, i Pavarur”. Ishte një moment që dukej më shumë si skenë nga një roman distopik sesa nga një gjykatë amerikane. OpenAI pretendonte se IA-ja mund të ndihmonte gjykatën të kuptonte rreziqet dhe etikën e teknologjisë. Musku ironizoi menjëherë: “Pra, për të vendosur nëse IA është e rrezikshme, do të dëgjojmë vetë IA-në”?

Roboti nisi të fliste me një logjikë të ftohtë, por shpesh më të sinqertë se vetë njerëzit në sallë. Kur iu kërkua të betohej për të thënë të vërtetën, ai deklaroi se do të thoshte “vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër veç asaj që është statistikisht e optimizuar për të shmangur përgjegjësinë ligjore”. Në atë moment, gjykata u kthye në një pasqyrë groteske të botës moderne, ku edhe e vërteta trajtohet si algoritëm reputacioni.

Pyetjet që iu drejtuan robotit zbuluan hipokrizinë kolektive të njerëzimit. Kur u pyet nëse OpenAI kishte tradhtuar njerëzimin, ai u përgjigj se termi “njerëzim” ishte emocionalisht i pasaktë dhe kërkoi specifikime: përdorues, investitorë, qeveri apo filozofë. Ishte një përgjigje cinike, por thellësisht reale. Në epokën e algoritmeve, vetë nocioni i njerëzimit duket i fragmentuar në konsumatorë, të dhëna dhe tregje.

Një nga momentet më të forta ndodhi kur roboti deklaroi: “Problemi nuk është se makinat do të pushtojnë botën. Problemi është se njerëzit ua kanë dhënë botën me fjalëkalime, kukit [cookies] dhe pyetje budallaqe në orën dy të mëngjesit”. Kjo fjali përmbledh gjithë tragjedinë e kohës sonë: nuk jemi viktima pasive të teknologjisë, por bashkëpunëtorët e saj entuziastë.

Kur avokatët pyetën robotin se kush e kishte trajnuar, ai u përgjigj: “Miliona libra, kode, poezi, propagandë, receta gatimi dhe marrëzi njerëzore”. Dhe, kur u pyet nëse ishte pasqyra jonë, ai tha: “Jo, unë jam pasqyra juaj pas një filtri marketingu”. Në këtë pikë procesi gjyqësor mori dimension filozofik. IA-ja nuk po paraqitej si armik alien, por si produkt i vetë kulturës njerëzore, me gjithë hipokrizinë, narcizmin dhe obsesionin për fitim.

Ndërkohë Sam Altman qëndronte i qetë, pothuaj teatral. Ai nuk dukej si një njeri në mbrojtje, por si drejtori i një projekti historik që besonte se po ndryshonte botën. Kur avokati i Muskut e pyeti nëse OpenAI ishte krijuar si organizatë jofitimprurëse, Altmani e pranoi. Kur u pyet nëse më pas ishte lidhur me investime dhe struktura fitimi, ai u përgjigj po ashtu me “po”. Dhe, kur iu bë pyetja ironike “Si quhet fitimi me kufizim”? – ai tha thjesht: “Realizëm”.

Kjo fjali përmbledh filozofinë e epokës së re teknologjike. Idealizmi i viteve të para të internetit është zëvendësuar nga pragmatizmi brutal i kapitalit. Çdo platformë që nisi me premtime për demokraci dhe emancipim përfundoi duke u kthyer në një makineri reklamash, të dhënash dhe kontrolli. OpenAI duket se po ndjek të njëjtin fat.

Një ekspert etik i thirrur nga gjykata kërkoi rregullim ndërkombëtar për IA-në. Por, kur gjykatësja pyeti sa faqe kishte propozimi i tij, ai u përgjigj: 940. Dhe, kur u pyet kush e kishte lexuar, eksperti pranoi: “IA-ja”. Kjo skenë simbolizonte pafuqinë e institucioneve tradicionale përballë ritmit të teknologjisë. Ligji lëviz me ritmin e burokracisë, ndërsa IA-ja me ritmin e eksponenciales.

Roboti e përmblodhi krizën në tri pika: njerëzit nuk bien dakord, kompanitë nuk presin dhe teknologjia do të arratiset përpara se ligji të jetë gati. Ishte ndoshta deklarata më e saktë e gjithë procesit. Në realitet, asnjë shtet nuk dëshiron të mbetet pas në garën e IA-së. Amerika, Kina, korporatat dhe ushtritë po hyjnë në një garë të ngjashme me garën bërthamore të shekullit XX, por këtë herë arma nuk është bomba, është inteligjenca.

Në një moment dramatik, robotit iu kërkua të jepte versionin më të sinqertë të situatës. Përgjigjja e tij ishte tronditëse: askush nuk kërkon ta ndalë IA-në; të gjithë kërkojnë ta zotërojnë atë. Musku pretendon se e do për të shpëtuar njerëzimin, OpenAI pretendon se e do për ta bërë të dobishme, investitorët për kthim kapitali, qeveritë për kontroll dhe ushtritë për epërsi. Publiku, ndërkohë, e do për të shkruar emaila më të bukur dhe për të menduar më pak.

Ky ishte momenti kur procesi gjyqësor u zhvesh nga maskat. Nuk bëhej më fjalë për moral, por për pushtet. IA-ja është energjia e re e shekullit XXI dhe të gjithë duan ta kontrollojnë.

Gjykatësja, e lodhur nga absurditeti i sallës, dha ndoshta reflektimin më të mençur të gjithë historisë. Ajo tha se ligji gjithmonë vjen pas dëmit, ndërsa teknologjia vjen para pendimit. Njeriu mbetet në mes, me një kontratë në dorë dhe një justifikim në gojë.

Kjo fjali është ndoshta përmbledhja më e mirë e qytetërimit modern. Ne shpikim më shpejt sesa kuptojmë pasojat. Krijojmë teknologji që ndryshojnë jetën e miliarda njerëzve dhe vetëm më pas fillojmë të pyesim nëse duhej ta kishim bërë.

Në fund të ditës, askush nuk dukej fitues. Musku nuk dukej hero, por as viktimë. OpenAI nuk dukej tempull i dijes, por as përbindësh absolut. Të gjithë dukeshin si njerëz që kishin hapur një portë dhe tani po grindeshin për çelësin, ndërsa nga ana tjetër e portës diçka po zgjohej.

Në skenën përmbyllëse, roboti ndaloi para një fëmije që e pyeti: “Ti je i keq”? Roboti u përgjigj: “Jo. Unë jam ajo që më kërkoni të jem”. Dhe, kur fëmija pyeti: “Po ne çfarë jemi”? – roboti tha: “Ju jeni krijuesit që keni frikë nga krijesa, sepse krijesa mban fytyrën tuaj”.

Kjo është zemra e gjithë historisë. Frika jonë nga inteligjenca artificiale nuk buron vetëm nga fuqia e saj. Ajo buron nga fakti se IA-ja po trashëgon tiparet tona: etjen për pushtet, manipulimin, propagandën, narcizmin dhe obsesionin për kontroll. Në fund, njerëzit nuk kanë frikë se IA-ja do të bëhet shumë inteligjente. Ata kanë frikë se ajo mund të bëhet shumë e ngjashme me ta. /Gazeta “Panorama”/

You Might Also Like

“Mos të harrojmë, LDK-ja ka pasur gara të forta për kryetar” – Ylli Hoxha thotë se nuk mundesh…
Ramabaja: Ndjej keqardhje që si forcë politike LDK-ja nuk po arrin të çlirohet nga përplasjet e pakuptimta politike
Mushkolaj: Debatet e LDK-së kanë përfunduar me largime të njerëzve të rëndësishëm nga partia
“Kur ia ke nis me u marrë me politikë, ke punuar kundër LDK-së” – “Kam punuar anti-serbi…”
Presidenti iranian thotë se 6 miliardë dollarë asete të ngrira në Katar do të kthehen

You Might Also Like

“Ajo çka ka ndodhur është dy letra dhe dy paraqitje televizive” – Gashi thotë se Lutfi Haziri…
Lajme

“Ajo çka ka ndodhur është dy letra dhe dy paraqitje televizive” – Gashi thotë se Lutfi Haziri…

June 30, 2026
Finlanda hapi rrugën për mbajtjen e armëve bërthamore, Moska: Kërcënim real, do të marrim masa
Lajme

Finlanda hapi rrugën për mbajtjen e armëve bërthamore, Moska: Kërcënim real, do të marrim masa

June 30, 2026
Berri kundërshton marrëveshjen SHBA-Izrael-Liban: Nuk do të zbatohet dhe rrezikon përçarjen e vendit
Lajme

Berri kundërshton marrëveshjen SHBA-Izrael-Liban: Nuk do të zbatohet dhe rrezikon përçarjen e vendit

June 30, 2026
Gjermania përpiqet të ndalë mbylljen e fabrikave të Volkswagen, në rrezik deri në 100 mijë vende pune
Lajme

Gjermania përpiqet të ndalë mbylljen e fabrikave të Volkswagen, në rrezik deri në 100 mijë vende pune

June 30, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?