Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian ka dërguar helikopterë dhe zjarrfikës për të ndihmuar Serbinë në luftën kundër një zjarri masiv në një rezervat natyror në verilindje të vendit, tha të shtunën kreu i misionit të BE-së në Beograd.
Serbia aktivizoi mekanizmin të premten, pasi prej javësh po përballet me një zjarr në Deliblatska Perscara, një zonë unike me duna rëre dhe pyje, rreth 80 kilometra nga kryeqyteti Beograd, si dhe me zjarre të tjera në jugperëndim të vendit, raporton Reuters.
“Ne qëndrojmë përkrah Serbisë në mbrojtjen e jetëve, mjeteve të jetesës dhe trashëgimisë së veçantë natyrore të Deliblatska Peščarës”, shkroi në X Andreas Beckerath, kreu i misionit të BE-së në Beograd.
Luka Causiq, kreu i Departamentit Serb për Emergjencat, tha se ndihma evropiane përfshin katër helikopterë Black Hawk për shuarjen e zjarreve nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke, 55 zjarrfikës dhe 24 automjete nga Gjermania, si dhe 69 zjarrfikës dhe 15 automjete nga Rumania.
Një helikopter nga Rumania dhe një nga Sllovakia iu bashkuan të shtunën operacioneve për shuarjen e zjarrit, ndërsa dy helikopterët e tjerë nga Republika Çeke do të angazhohen të dielën, njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë.
Zjarrfikësit dhe automjetet rumune kanë mbërritur gjithashtu në qytetin e Bela Crkvës, pranë zonës së zjarrit. Një ekip gjerman pritet të mbërrijë më 24 gusht, njoftoi ministria.
Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ka qasje në ndihmën emergjente të BE-së përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Këtë verë, Beogradi dërgoi një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një ekip të reagimit emergjent për të ndihmuar Spanjën në luftën kundër zjarreve, pasi zjarret e përsëritura në të gjithë Evropën shteruan kapacitetet e BE-së.
Një avion rus IL-76P për shuarjen e zjarreve, i Ministrisë së Emergjencave të Rusisë, u ul të mërkurën në qytetin jugor serb të Nishit për të ndihmuar në luftimin e zjarrit në Deliblatska Peščara, i cili që nga fundi i korrikut ka përfshirë mijëra hektarë pyje me pisha.
Causiq tha se situata ishte më e qëndrueshme të shtunën, por priten erëra të forta dhe prioriteti është mbrojtja e vendbanimeve dhe jetëve të njerëzve.
Zjarre të tjera të mëdha ishin aktive edhe në vargmalin e thyer të Stolovit, në jugperëndim të vendit.
Në Maqedoninë e Veriut fqinje, një zjarr i madh po përhapej në komunën e Strumicës, në jug të kryeqytetit Shkup. Sipas raportimeve të mediave, të paktën një shtëpi është përfshirë nga zjarri në fshatin Sofilari.
The post Zjarret masive në Serbi, BE dërgon helikopterë dhe zjarrfikës appeared first on Gazeta Express.

