Një operacion i gjerë i karabinierëve në qytetin e Latinës, në Itali, ka çuar në zbulimin e një rafinerie të sofistikuar të kokainës, e cila ishte fshehur mes bimësisë pranë një banese.
Gjatë aksionit u arrestuan pesë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, të dyshuar për prodhim, përpunim dhe posedim të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, të arrestuarit janë dy shtetas italianë, një holandez, një kolumbian dhe një shqiptar. Ata akuzohen, në role të ndryshme, për veprimtari të lidhura me prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.
Gjatë kontrollit, karabinierët zbuluan një laborator të pajisur plotësisht për prerjen, rafinimin dhe paketimin e kokainës. Brenda tij u sekuestruan peshore precize, sita, furra me mikrovalë, pajisje për paketim me vakum dhe presa të posaçme për prodhimin e blloqeve të kokainës që përdoreshin për tregun e paligjshëm.
Në laborator u gjetën gjithashtu dy kova që përmbanin afro 9 kilogramë kokainë në proces rafinimi, një sasi e konsiderueshme substancash për përzierjen e drogës, si dhe 27 thasë me pelet druri, secili me peshë 15 kilogramë.
Sipas hetuesve, peleti dyshohet se ishte i ngopur me kokainë dhe përdorej në procesin e nxjerrjes kimike të lëndës narkotike.
Në ambientet e laboratorit u sekuestruan edhe tretës kimikë, enë të ndryshme, sita dhe mbetje nga përpunimet e mëparshme. Kontrollet vijuan edhe në banesën e përdorur nga të arrestuarit, ku u gjetën 18 pako me rreth 18.2 kilogramë kokainë të gatshme për shitje.
Gjithashtu u sekuestruan 8810 euro para në dorë, një makinë për numërimin e parave, dy orë luksoze, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, gjashtë telefona celularë, një kompjuter portativ dhe shënime me llogaritë e aktivitetit të dyshuar kriminal. Mes sendeve të sekuestruara ishin edhe një pistoletë me ajër të kompresuar, një teleskop.
E gjithë zona ku ndodhej rafineria është vënë nën sekuestro, ndërsa specialistët e Institutit të Hetimeve Shkencore të Romës (RIS) po kryejnë ekspertizat për të përcaktuar mënyrën e nxjerrjes së kokainës nga peleti dhe sasinë e saktë të drogës që ndodhej ende në proces përpunimi.
Në përfundim të operacionit, pesë të arrestuarit u dërguan në burgun e Latinës dhe tashmë ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane./TCH
The post Zbulohet një rafineri kokaine e fshehur mes bimësisë në Itali, mes të arrestuarve edhe një shqiptar appeared first on Gazeta Express.

