Fluksi i lartë i turistëve gjatë sezonit veror po shoqërohet me rritje të ndjeshme të çmimeve në qytetet bregdetare të Shqipërisë, ndërsa banorët e Vlorës thonë se këtë verë po përballen me një kosto shumë më të lartë të jetesës.
Sipas qytetarëve, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm, në disa raste pothuajse janë dyfishuar, ndërsa më të shtrenjta janë bërë edhe shërbimet e ndryshme.
Banorët shprehen se me pagat dhe pensionet aktuale e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet e përditshme, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të monitoruar dhe kontrolluar rritjen e çmimeve.
Ata theksojnë se shtrenjtimi nuk prek vetëm produktet e shportës, por edhe shërbimet në restorante, kafene dhe plazhe, ku tarifat për shezllonget dhe ofertat turistike janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.
Për vetë banorët, Vlora këtë sezon veror është bërë dukshëm më “e kripur”, pasi përfitimet ekonomike nga turizmi nuk po reflektohen në uljen e kostos së jetesës për komunitetin lokal, por përkundrazi, sipas tyre, po rëndojnë buxhetin familjar.
Në këtë situatë, qytetarët kërkojnë masa konkrete nga autoritetet për të garantuar stabilitetin e çmimeve, në mënyrë që sezoni turistik të mos rëndojë mbi standardin e jetesës së banorëve vendas.
– YouTube www.youtube.com
