Ka ndërruar jetë punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Haxhi Gojnovci, i cili një ditë më parë ishte lënduar rëndë në një aksident në vendin e punës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Gojnovci ka ndërruar jetë më 16 gusht, rreth orës 20:30, pas aksidentit të rëndë që kishte pësuar gjatë kryerjes së detyrave të punës në zonën e ekskavatorit.
I ndjeri, i lindur më 1967 në Lismir të Fushë Kosovës, ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga 15 nëntori i vitit 1985, duke kontribuar për më shumë se katër dekada në Korporatë.
KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen Gojnovci, të afërmit, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
Lëndohet rëndë një punëtor i KEK-ut në aksident në vendin e punës

