Sipas UNICEF-it, rreth 300 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë afërsisht 300 ditëve që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025, një mesatare prej një fëmije të vrarë çdo ditë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thekson se qindra të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre me lëndime të rënda, duke paralajmëruar se situata humanitare për fëmijët mbetet alarmante, pavarësisht premtimeve për ndalimin e luftimeve.
Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, deklaroi se një armëpushim gjatë të cilit vazhdon të humbasë jetën mesatarisht një fëmijë në ditë nuk mund të konsiderohet një zgjidhje që mbron fëmijët. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira në planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që t’i shndërrojnë zotimet në veprime konkrete, duke ndalur dhunën dhe duke garantuar qasje të plotë për ndihmat humanitare.
UNICEF njofton se familjet në Gaza janë të detyruara të jetojnë në vetëm një pjesë të kufizuar të territorit, mes ndërtesave të shkatërruara, rrënojave dhe mbeturinave që ende nuk janë pastruar. Fëmijët përballen çdo ditë me mungesë ushqimi, ujë të pijshëm të sigurt, shërbime sanitare dhe kujdes shëndetësor. Gjendja është veçanërisht e rëndë për foshnjat e lindura para kohe, pasi mungesa e inkubatorëve ka detyruar spitalet që në disa raste të vendosin më shumë se një foshnjë në të njëjtën pajisje.
Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 73 300 palestinezë. UNICEF vlerëson se më shumë se 58 000 fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit, ndërsa mbi një milion të mitur kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe shërbime mbrojtëse. Organizata ka raportuar më herët se rreth 17 000 fëmijë janë të pashoqëruar ose janë ndarë nga familjet e tyre, duke e cilësuar këtë si një nga krizat më të mëdha të mbrojtjes së fëmijëve në botë.
Përveç rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet, fëmijët në Gaza po përballen me pasoja të rënda në jetën e përditshme. Zhvendosjet e përsëritura, humbja e të ardhurave familjare, mungesa e arsimit dhe qasja e kufizuar në kujdes shëndetësor kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre. Sipas organizatës, shumë fëmijë e kalojnë ditën duke kërkuar ujë, duke pritur në radhë për ushqim ose duke mbledhur dru për zjarr, në vend që të ndjekin shkollën apo të luajnë. /abcnews
Një nga rastet që ka tronditur opinionin publik ishte sulmi i 2 gushtit në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, ku, sipas raportimeve, humbën jetën një grua shtatzënë, bashkëshorti i saj dhe djali pesëvjeçar. Banorët raportuan se nga rrënojat u nxorën edhe mbetjet e foshnjës së palindur.
UNICEF thekson se mungesa e hapësirave të sigurta për lojë dhe zhvillim po i privon fëmijët nga elementët bazë të fëmijërisë. Vlerësimet e organizatës tregojnë se ndërprerja e arsimit dhe mungesa e aktiviteteve zhvillimore do të kenë pasoja afatgjata në brezin e ri, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për rikuperimin e tyre.
Në të njëjtën kohë, UNICEF ka njoftuar se ka dërguar mbi 600 paleta me materiale shkollore dhe sapun në Gaza, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, i cili pritet të nisë brenda dy javësh. Organizata thekson se testi i vërtetë për çdo marrëveshje armëpushimi mbetet ndalimi i plotë i vrasjeve, shpërndarja e ndihmave në shkallë të gjerë, rikthimi në funksion i spitaleve dhe sigurimi i ujit të pijshëm për popullsinë civile.

