Filmi epik “The Odyssey” i regjisorit Christopher Nolan ka nxitur diskutime të shumta rreth saktësisë historike të paraqitjes së botës së Homerit, por studiuesit e antikitetit thonë se pyetja kryesore nuk është nëse filmi riprodhon në mënyrë perfekte Epokën e Bronzit, por se si e interpreton një mit që ka ndryshuar vazhdimisht ndër shekuj.
Menjëherë pas publikimit të materialeve të para të filmit, shumë kritikë në internet vunë në dyshim kostumet, armaturat dhe skenografinë. Helmeta e Agamemnonit, anijet dhe veshjet e personazheve u cilësuan nga disa si të papërshtatshme për periudhën mikene, duke u krahasuar me elemente të periudhave shumë më të vona historike.Megjithatë, studiuesit e letërsisë klasike dhe qytetërimit mikenas argumentojnë se “Iliada” dhe “Odisea” nuk janë dokumente historike, por vepra mitologjike të krijuara dhe të riformësuara përmes traditës gojore.
Dimitri Nakassis, profesor i klasikëve në Universitetin e Kolorados Boulder, theksoi se kërkimi i një versioni absolutisht “të saktë” të botës së Homerit humbet kuptimin e vetë mitit.“Suksesi i miteve qëndron në aftësinë e tyre për të folur me çdo epokë. Grekët vetë i ndryshonin dhe i përshtatnin vazhdimisht tregimet mitologjike”, tha ai.
Edhe pse disa elemente të filmit nuk përputhen me të dhënat arkeologjike, studiuesit vlerësojnë se kjo nuk është diçka e pazakontë. Katerina Zacharia, profesoreshë e klasikëve në Universitetin Loyola Marymount, theksoi se heronjtë e Homerit janë interpretuar ndryshe nga çdo periudhë historike.
Sipas saj, edhe vetë Homeri kishte përzier elemente të kujtesës së Epokës së Bronzit me botën e kohës së tij. Për këtë arsye, mënyra se si Nolan paraqet Odiseun është pjesë e një tradite të gjatë ku çdo brez krijon versionin e vet të heronjve antikë.
“Kur Nolan i vesh këta heronj me armaturën e epokës së piktorëve të vazove greke, ai po bën atë që kanë bërë artistët para tij”, u shpreh Zacharia.
Studiuesit kanë vënë në dukje gjithashtu se filmi nuk përpiqet vetëm të rindërtojë të kaluarën, por reflekton edhe shqetësimet e kohës moderne. Atmosfera e errët, e zymtë dhe realiste e filmit, sipas tyre, tregon më shumë për mënyrën se si shekulli XXI e imagjinon antikitetin sesa për vetë botën e lashtë.
Një tjetër element i diskutuar është trajtimi i personazheve femërore dhe përfshirja e aktorëve me prejardhje të ndryshme. Studiuesit argumentojnë se konceptet moderne të racës nuk mund të aplikohen drejtpërdrejt te shoqëritë e lashta greke, ndërsa mitet gjithmonë janë përshtatur sipas vlerave dhe perspektivave të kohës kur rrëfehen.
Për profesorët e klasikëve, pyetja më interesante nuk është nëse “The Odyssey” është një kopje perfekte e botës së Homerit, por çfarë tregon filmi për mënyrën se si shoqëria e sotme e kupton luftën, traumën, identitetin dhe kthimin në shtëpi.
Në fund, “The Odyssey” i Christopher Nolan duket se vazhdon një traditë mijëravjeçare: atë të ritregimit të një historie që ka mbijetuar pikërisht sepse çdo brez ka gjetur një mënyrë të re për ta interpretuar./KultPlus

