Italia po përballet me një valë të re të nxehti ekstrem, duke detyruar autoritetet të vendosin pothuajse të gjitha qytetet kryesore të vendit në nivelin më të lartë të alarmit.
Ministria italiane e Shëndetësisë ka paralajmëruar se deri të hënën, 25 nga 27 qytetet kryesore do të jenë në alarm të kuq, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit, raporton BBC.
Aktualisht, 19 qytete, përfshirë Romën, Milanon, Venecian dhe Napolin, ndodhen në nivelin maksimal të alarmit për shkak të temperaturave të larta. Sipas autoriteteve, rreziku nuk kufizohet vetëm te grupet më të cenueshme, si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, por prek edhe individët e shëndetshëm dhe aktivë fizikisht.
Temperaturat kanë arritur në mesin e 30 gradëve Celsius në shumë pjesë të vendit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se nxehtësia do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Vetëm Reggio Calabria dhe Messina pritet të mbeten në nivelin e dytë të alarmit, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të përballet me nivelin më të lartë të rrezikut.
Ministria italiane e Shëndetësisë u rekomandon qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve të pikut të temperaturave.
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit është shkaktuar nga një anticiklon subtropikal që vjen nga Afrika e Veriut dhe është forcuar mbi rajonin e Mesdheut, duke sjellë temperatura shumë më të larta se mesatarja sezonale.
Ndërkohë, moti ekstrem po vazhdon të ndikojë edhe në pjesën tjetër të Evropës, ku temperaturat e larta kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve pyjore.
Në Francë, rreth 2.500 persona janë evakuuar nga rajoni juglindor i Var, pasi një zjarr, i cili ishte vënë nën kontroll, është riaktivizuar. Ndërkohë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se një tjetër zjarr i madh në rajonin Gironde është stabilizuar, duke u mundësuar rreth 200 mijë banorëve të rikthehen në shtëpitë e tyre.
Edhe Greqia vazhdon të përballet me zjarre të shumta. Qindra persona, shumica turistë, janë evakuuar me mjete lundruese nga një qytet bregdetar në rajonin e Viotias, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.
Në Spanjë, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, më shumë se 200 mijë hektarë tokë janë djegur që nga fillimi i vitit 2026, rreth pesë herë më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit. Edhe Portugalia po regjistron sipërfaqe të djegura mbi nivelet normale.
The post Temperatura përvëluese në Itali, shumica e qyteteve kalojnë në nivelin maksimal të alarmit appeared first on Gazeta Express.

