Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se pret që të dërguarit amerikanë ta informojnë për bisedimet që po zhvillohen në Kinë, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përgatitet të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë rus, Vladimir Putin.

Trump ka deklaruar se në takimin historik trepalësh, që do të mbahet në kuadër të samitit të APEC-ut në Shenzhen, synon të diskutojë kufizimet për armët bërthamore dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky theksoi se Ukraina dhe partnerët evropianë kanë një qëndrim të përbashkët lidhur me përfshirjen e tyre në vendimmarrje, transmeton Telegrafi.
“Ne dhe evropianët kemi një qëndrim të qartë dhe të përbashkët: çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën duhet të vendosen me pjesëmarrjen e Ukrainës, ndërsa ato që kanë të bëjnë me Evropën duhet të vendosen me pjesëmarrjen e Evropës”, deklaroi ai.
Sipas Zelenskyt, përfaqësuesit amerikanë i kanë njoftuar autoritetet në Kiev se do t’i informojnë për bisedimet e Trumpit në Kinë gjatë takimeve që do të zhvillohen të enjten në Berlin. Ai shtoi se Ukraina do të marrë informacione edhe nga partnerë të tjerë që ndodhen aktualisht në Kinë.
Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po organizojnë së bashku takimet në Berlin, të cilat do të nisin vetëm disa orë pasi Trump, Putin dhe Xi të përfundojnë samitin e tyre trepalësh në Shenzhen.
Në takimin në kryeqytetin gjerman pritet të marrin pjesë më shumë se 30 liderë evropianë, së bashku me Zelenskyn dhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Takimi zhvillohet në një kohë kur janë shtuar shqetësimet se Trump, Putin dhe Xi mund të marrin vendime për të ardhmen e Ukrainës pa përfshirjen e Kievit dhe vendeve evropiane.
Lufta vazhdon, ndërsa marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit janë të tensionuara
Trump ka folur shpesh për raportet e tij të mira me Putinin, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit duket se janë përkeqësuar kohët e fundit.
Presidenti amerikan ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, ndërsa Ukraina është përballur edhe me ndërprerje të mbështetjes satelitore për dronët e saj gjatë luftës.
Megjithatë, në fillim të këtij muaji, në Abu Dhabi u zhvilluan bisedime mes negociatorëve rusë, ukrainas dhe amerikanë për herë të parë që nga shkurti, me garancitë e sigurisë si një nga çështjet kryesore të diskutimit.
Takimi dyditor pasoi negociatat e mëparshme të zhvilluara në fillim të këtij viti, të cilat nuk prodhuan përparim të dukshëm drejt përfundimit të konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërkohë, luftimet po vazhdojnë, pavarësisht përpjekjeve të ripërtërira diplomatike të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës, e cila po hyn në vitin e pestë.
Mediat ukrainase raportuan se dronët rusë sulmuan rajonin e Harkivit të mërkurën në mbrëmje, duke goditur një ndërtesë banimi.
Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se pasditen e së njëjtës ditë, mbeturinat e një droni ranë në lagjen Pecherskyi të kryeqytetit, duke shkaktuar zjarr.
Nuk u raportua për persona të lënduar, ndërsa ekipet e emergjencës u dërguan në vendngjarje.
Më herët, Ukraina goditi dy rafineri nafte në jug të Rusisë. Zelensky e përshëndeti këtë operacion, duke e cilësuar si dëshmi të “efektivitetit të armëve të prodhuara në Ukrainë”.
Një sulm tjetër shkaktoi dëme të pjesshme në Urën e Kerçit, një kalim strategjik që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Moska. /Telegrafi/





