Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, do të intervistohet nesër nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Intervistimi i saj është caktuar të nisë në orën 09:30.
Pavarësisht pozitës drejtuese në dikasterin komunal që mbulon çështjet sociale, Mujaj-Bajraktaraj nuk ka pasur dalje publike në media që nga vrasja e 49-vjeçares. Deri më tani, vëmendja publike është përqendruar kryesisht te veprimet e Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale.
Sipas dokumentit zyrtar mbi detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Pejë, ky dikaster ka në fushëveprimin e tij 36 lloje të shërbimeve sociale.
Në mesin e përgjegjësive të kësaj drejtorie janë edhe shërbimet për vendosjen në strehimore të viktimave të dhunës në familje, këshillimi familjar, ndihma në rregullimin e marrëdhënieve bashkëshortore dhe familjare, si dhe rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave në familje e komunitet.
Sipas të dhënave në uebfaqen zyrtare të Komunës së Pejës, Mujaj-Bajraktaraj ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në periudhën 2010–2014. Në karrierën e saj të mëhershme ka punuar si asistente administrative, avokate dhe monitoruese, ndërsa nga dhjetori i vitit 2017 deri në nëntor të vitit 2021 ka qenë këshilltare komunale në Kuvendin Komunal të Pejës.
Ajo mban edhe disa pozita brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë anëtare të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie dhe të Kryesisë së LDK-së në Pejë.
Pas intervistimit të saj, Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën në orën 10:30 me dëgjimin e Samka Drançollit, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës.
Ndërkaq, në orën 14:00 është paraparë intervistimi i Blerim Shabanit, drejtor i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Burimi: Insajderi





