Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Turqi, duke theksuar se një takim mes liderëve është i nevojshëm për t’i dhënë fund luftës.

Në një intervistë për CNN Türk, të cituar nga agjencia Ukrinform, Zelensky tha se Ukraina e mbështet Turqinë si vend për zhvillimin e këtij takimi, duke vlerësuar edhe rolin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
“Po, ne jemi gati. Jemi gati për këtë takim në Turqi”, deklaroi ai.
Zelensky theksoi se, pavarësisht bisedimeve të zhvilluara nga ekipet teknike dhe delegacionet, deri më tani nuk është arritur t’i jepet fund luftës. Sipas tij, çështjet kryesore duhet të diskutohen drejtpërdrejt nga udhëheqësit.
Ai tha se në një takim të tillë duhet të trajtohen garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimi i vendit dhe çështja territoriale.
Megjithatë, presidenti ukrainas përsëriti se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga territoret e pushtuara dhe nuk do ta njohë Krimenë apo pjesët e tjera të pushtuara si territor rus.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




