Kujdes gjatë shëtitjeve me qenin: Këto dy fruta të vjeshtës mund ta helmojnë dhe t’i rrezikojnë jetën

Kujdes gjatë shëtitjeve me qenin: Këto dy fruta të vjeshtës mund ta helmojnë dhe t’i rrezikojnë jetën

Kujdes gjatë shëtitjeve me qenin: Këto dy fruta të vjeshtës mund ta helmojnë dhe t’i rrezikojnë jetën

Gëlltitja e tyre mund të shkaktojë helmim, probleme me tretjen dhe bllokim të zorrëve, ndaj pronarët duhet të njohin shenjat paralajmëruese

Sponsor 3M Express

Shëtitjet e vjeshtës janë ndër momentet më të këndshme për qentë, por mes gjetheve të rëna mund të fshihen edhe rreziqe serioze. Gështenjat e egra dhe lendët e lisit, që shpesh mbulojnë shtigjet e parqeve, mund të jenë toksike për kafshët shtëpiake.

Sipas Klubit Britanik të Kinologjisë (The Kennel Club), këto fruta mund të shkaktojnë jo vetëm helmim, por edhe mbytje ose bllokim të sistemit tretës.

Çfarë ndodh nëse qeni ha gështenja të egra?

Gështenja e egër (Aesculus hippocastanum) përmban një substancë toksike të quajtur eskulinë. Të dëmshme mund të jenë edhe pjesët e tjera të bimës, përfshirë gjethet, lëvoren dhe lulet.

Simptomat zakonisht shfaqen brenda një deri në gjashtë orë pas gëlltitjes, por ndonjëherë mund të vonohen deri në dy ditë.

Shenjat përfshijnë të vjella, ndonjëherë me gjak, diarre, jargëzim të shtuar, dhimbje barku, etje dhe humbje të oreksit.

Në raste më të rënda, qeni mund të shfaqë shqetësim, dridhje muskulore ose vështirësi në ecje.

Sipas shërbimit britanik të urgjencës veterinare Vets Now, helmimet e rënda janë relativisht të rralla, por mund të ndodhin. Nuk ekziston kundërhelm specifik, ndaj trajtimi mbështetet në lehtësimin e simptomave dhe kujdesin veterinar.

Lendët e lisit mund të dëmtojnë veshkat dhe mëlçinë

Edhe lendët e lisit përmbajnë substanca të dëmshme, veçanërisht tanine.

Gëlltitja e tyre mund të shkaktojë të vjella, diarre dhe dhimbje barku. Konsumimi i sasive të mëdha ose i përsëritur mund të çojë edhe në dëmtim të veshkave dhe mëlçisë.

Veçanërisht të rrezikshme janë frutat e gjelbra, ende të papjekura të lisit, të cilat zakonisht përmbajnë më shumë tanine, substanca që mund të shkaktojnë helmim te qentë.

Përveç helmimit, madhësia dhe fortësia e tyre krijojnë rrezik për mbytje ose bllokim të stomakut dhe zorrëve.

Si ta dalloni gështenjën e egër nga ajo e ngrënshme?

Gështenja e egër nuk është e njëjta bimë me gështenjën e zakonshme që piqet dhe konsumohet gjatë vjeshtës.

Gështenja e egër ka gjethe të përbëra nga disa fletëza, të ngjashme me gishtat e dorës, ndërsa gështenja e ngrënshme ka gjethe të zgjatura me skaje të dhëmbëzuara.

Dallojnë edhe mbështjellësit e frutave. Gështenja e egër zakonisht ka më pak gjemba, ndërsa ajo e ngrënshme mbulohet nga një lëvore me gjemba shumë më të dendur dhe të mprehtë.

Gështenja e ngrënshme nuk është toksike në të njëjtën mënyrë, por përsëri mund të paraqesë rrezik mbytjeje për qentë.

Si ta mbroni qenin gjatë shëtitjeve të vjeshtës?

Nëse qeni ka zakon të marrë sende nga toka, mbajeni me zinxhir në zonat ku ka shumë gështenja dhe lendë lisi.

Merrni me vete lodrën e tij të preferuar për t’ia tërhequr vëmendjen dhe mos përdorni gështenja si lodra për hedhje.

Nëse dyshoni se qeni ka gëlltitur ndonjërin prej këtyre frutave, kontaktoni menjëherë veterinarin, pa pritur shfaqjen e simptomave. Mos provokoni të vjella pa udhëzim profesional.

Reagimi në kohë mund të parandalojë komplikime serioze dhe t’ia shpëtojë jetën kafshës suaj. /Telegrafi/

Lexo edhe

Hailey Bieber lë pantallonat jashtë kombinimit: Me gete transparente dhe të brendshme, sjell një nga paraqitjet më të guximshme

Hailey Bieber lë pantallonat jashtë kombinimit: Me gete transparente dhe të brendshme, sjell një nga paraqitjet më të guximshme

Granit Xhaka nuk përmbahet pas krizës së Sunderlandit: Gabime të thjeshta po na kushtojnë gjithçka

Granit Xhaka nuk përmbahet pas krizës së Sunderlandit: Gabime të thjeshta po na kushtojnë gjithçka

Të pasurit në betejën për pushtet – miliarda dollarë në fushatat zgjedhore amerikane

Të pasurit në betejën për pushtet – miliarda dollarë në fushatat zgjedhore amerikane