Një person ka humbur jetën të mërkurën si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në Suharekë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur pas një konflikti verbal mes dy personave.
I dyshuari, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima është dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit, ku, rreth orës 13:03, ka ndërruar jetë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa gjatë arrestimit i ka konfiskuar një revole me 24 fishekë, si dhe disa gëzhoja.
“Suharekë / 18.11.2026 – 12:11. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një konflikti verbal, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spitalin e Prizrenit ku dyshohet se rreth orës 13:03 ka ndërruar jetë. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një revole me 24 fishekë dhe disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML”.
Ndërkohë, njësitë hetimore kanë bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë parash të gatshme.
Tutje në raport bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Njësiti hetuesisë ka bastisur shtëpinë të dyshuarit ku ka gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë të parave të gatshme. I dyshuari është dërguar në mbajtje.Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për procedurat e mëtejme”, thuhet në raport.
Ndërkaq, siç thuhet në raport, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”. /Telegrafi/





