Ish-kampioni i UFC-së, Merab Dvalishvili, ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga Usman Nurmagomedov, Umar Nurmagomedov dhe disa persona të tjerë në një hotel në Abu Dhabi.

Incidenti, sipas rrëfimit të luftëtarit gjeorgjian, ndodhi derisa ai ishte duke dhënë një intervistë përpara paraqitjes së tij në eventin RAF Abu Dhabi.
Dvalishvili publikoi një video në rrjetet sociale, ku shfaqet me gjak në fytyrë, ndërsa edhe shoku i tij duket se ka pësuar lëndime.
Në përshkrimin e videos, ai pretendoi se një grup prej rreth 20 personash iu afrua nga prapa dhe nisi ta godiste atë dhe shokun e tij.
“Po jepja një intervistë për RAF-in në hollin e hotelit, kur Usmani dhe shokët e tij na u afruan nga prapa dhe filluan të më godisnin mua dhe shokun tim të ri. Sigurimi po më mbante, ndërsa ata vazhdonin të na shqelmonin edhe kur ishim të rrëzuar”, ka shkruar Dvalishvili.
Në videon e publikuar, gjeorgjiani ka reaguar ashpër ndaj vëllezërve Nurmagomedov, duke i akuzuar për sulm të papritur.
“Vetëm unë dhe shoku im kishim ardhur këtu në Abu Dhabi, ndërsa Usman Nurmagomedov dhe shokët e tij na u afruan nga prapa. Çfarë lloj luftëtarësh jeni ju? Çfarë lloj burri e bën një gjë të tillë? Nëse doni të flasim apo të luftojmë, le ta bëjmë siç duhet”, deklaroi ai.
Dvalishvili akuzoi gjithashtu Umar Nurmagomedovin se ishte pjesë e grupit që e sulmoi.
“Unë sapo kisha ardhur në Abu Dhabi dhe pastaj Usman, Umar dhe shokët e tyre erdhën në mënyrë tinëzare dhe tentuan të na rrihnin. Ishin shumë persona”, u shpreh ish-kampioni i UFC-së.
Ai këmbënguli se ishte mirë, pavarësisht lëndimeve të dukshme në fytyrë.
“Jam mirë. Të gjithë miqtë dhe familjarët e mi, jam plotësisht mirë. Jam luftëtar dhe kjo nuk është asgjë për mua”, deklaroi Dvalishvili.
Rivaliteti mes Dvalishvilit dhe familjes Nurmagomedov është i njohur në botën e arteve marciale mikse. Në janar të vitit 2025, gjeorgjiani e mposhti Umar Nurmagomedovin me vendim unanim të gjyqtarëve në UFC 311, duke mbrojtur titullin e kampionit në kategorinë bantamëeight.
Përplasja e fundit ka ndodhur vetëm pak ditë para paraqitjes së tyre të planifikuar në RAF Abu Dhabi. Dvalishvili pritet të përballet me Marlon Moraes në një duel mundjeje, më 14 nëntor, ndërsa Umar Nurmagomedov ka të planifikuar një përballje me Urijah Faber./Telegrafi/





