Venezuela nënshkruan marrëveshje ushtarake me SHBA-në, më pak se një vit pas largimit të Maduros

Venezuela nënshkruan marrëveshje ushtarake me SHBA-në, më pak se një vit pas largimit të Maduros

Venezuela nënshkruan marrëveshje ushtarake me SHBA-në, më pak se një vit pas largimit të Maduros

Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë rivendosur lidhjet ushtarake, më pak se një vit pasi forcat amerikane kapën liderin e atëhershëm të vendit të Amerikës së Jugut, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni në kryeqytetin Karakas.

Sponsor 3M Express

Qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga Delcy Rodríguez – ish-nënkryetare nën drejtimin e Maduros – nënshkroi të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Deri më tani janë bërë të ditura pak detaje rreth marrëveshjes, por Hegseth deklaroi se, brenda më pak se 12 muajsh, Venezuela ka kaluar “nga kërcënimi ynë më agresiv rajonal, në një partner sigurie bashkëpunues”.

Presidentja e përkohshme, Rodríguez, u shpreh se marrëveshja do të ndihmojë në përballimin e “kërcënimeve të përbashkëta”.

Bashkëpunimi ushtarak midis dy vendeve ishte ndërprerë në vitin 2005 nga Hugo Chávez, presidenti i atëhershëm i Venezuelës, i cili përfaqësonte krahun e majtë.

Chávez pretendoi se personeli ushtarak amerikan, i dërguar në Venezuelë për të trajnuar homologët e tyre, kishte bërë komente denigruese ndaj qeverisë së tij.

Ai gjithashtu akuzoi zyrën ushtarake amerikane, të vendosur në Fuerte Tiuna – kompleksi më i madh ushtarak në Venezuelë – se ishte “një organ i CIA-s… që komplotonte kundër qeverisë”.

Nën drejtimin e Nicolás Maduros, i cili pasoi Chávez-in pas vdekjes së këtij të fundit nga kanceri, marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan edhe më tej.

Ato arritën në pikën më të ulët në fund të vitit të kaluar, kur SHBA-ja dyfishoi shpërblimin për informacionet që do të çonin në kapjen e Maduros – duke e çuar atë në 50 milionë dollarë – dhe përfundimisht e kapën atë më 3 janar, gjatë një operacioni ushtarak.

Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen aktualisht në paraburgim në Nju Jork, nën akuza për trafikim droge dhe komplot për të kryer tortura – akuza të cilat ata i mohojnë.

Në fjalimin e tij të mërkurën në ambasadën amerikane në Karakas, Hegseth foli për ndryshimin në marrëdhëniet midis dy vendeve që nga kapja e Maduros.

“Është një nder i madh të jem këtu, si Sekretari i parë amerikan i Mbrojtjes në këtë shekull që shkel në Venezuelë. E kuptoj plotësisht rëndësinë e këtij momenti”, tha ai.

“Vetëm një vit më parë, prania ime këtu, prania jonë këtu, do të konsiderohej e pamundur, pothuajse e paimagjinueshme”, shtoi ai, përpara se të kujtonte një dalje publike të presidentit të atëhershëm, Maduro, e cila kishte zemëruar administratën Trump.

“Fiks një vit më parë, i arratisuri dhe i akuzuari për narkoterrorizëm, Nicolás Maduro – njeriu që kaloi më shumë se një dekadë duke ua dorëzuar kufijtë dhe territorin e Venezuelës terroristëve nga e gjithë bota – qëndroi në një skenë, jo shumë larg këtej, dhe bërtiti me tallje: ‘Ejani e më kapni!’. Epo, ne iu përgjigjëm asaj thirrjeje”.

Hegseth shtoi se rezultati i ndërhyrjes ushtarake amerikane më 3 janar ishte pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Maduro, duke cituar fjalët e liderit të rrëzuar: “Jo luftë, po paqe”.

Ai e përshkroi marrëveshjen e nënshkruar të mërkurën prej tij dhe ministrit të mbrojtjes të Venezuelës si një “kapitull të ri për Shtetet e Bashkuara, për Venezuelën, për ushtrinë venezuelase dhe për Hemisferën Perëndimore, përmes Koalicionit të Amerikave Kundër Karteleve”.

Rodríguez e cilësoi atë si “jashtëzakonisht të rëndësishme për marrëdhëniet tona dypalëshe”. /Telegrafi/

Lexo edhe

Meçi me Furyn mund të jetë ndër të fundit, Joshua paralajmëron pensionimin

Meçi me Furyn mund të jetë ndër të fundit, Joshua paralajmëron pensionimin

Ekskluzive: Pse u liruan Mehmetajt e Gllogjanit?(VIDEO)

Ekskluzive: Pse u liruan Mehmetajt e Gllogjanit?(VIDEO)

Paqartësitë rreth Speciales – VV e PDK dakordohen për ligj të ri (VIDEO)

Paqartësitë rreth Speciales – VV e PDK dakordohen për ligj të ri (VIDEO)