Moderatori nga Shqipëria, Syrjan Rahova, ka nxitur reagime në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje në TikTok, në të cilën ka përdorur si sfond muzikor këngën “Trepni” të këngëtares serbe Ceca, në një version remix që qarkullon në platformë dhe që i atribuohet DJ-it suedez KAAZE.

Ndonëse kënga është pjesë e një trendi muzikor në TikTok, përzgjedhja e saj ka ngjallur kritika, për shkak të figurës tejet kontroverse të këngëtares serbe dhe qëndrimeve të saj të njohura ndër vite ndaj Kosovës.
Svetlana Raznatovic, e njohur artistikisht si Ceca, ishte bashkëshortja e Zeljko Raznatovicit, i njohur si Arkani, komandant i formacionit famëkeq paramilitar serb “Tigrat e Arkanit”, i cili ishte i përfshirë në krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Edhe Ceca, ndër vite, ka qenë në qendër të polemikave për shkak të deklaratave dhe qëndrimeve të saj nacionaliste, përfshirë ato që lidhen drejtpërdrejt me Kosovën.
Polemika rreth transmetimit të muzikës së saj kishin pasur jehonë edhe në Shqipëri. Në vitin 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i kishte tërhequr zyrtarisht vërejtjen Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për transmetimin e këngëve të Cecës, duke argumentuar se këngëtarja, përmes deklaratave dhe muzikës së saj, kishte mbështetur veprimet e Arkanit.
Në këtë kontekst, përdorimi i një kënge të saj nga një gazetar shqiptar ka hapur diskutime që shkojnë përtej një zgjedhjeje të zakonshme muzikore apo ndjekjes së një trendi në TikTok.
Deri më tani, nuk është e qartë nëse Syrjan Rahova ka qenë në dijeni të historikut dhe qëndrimeve të këngëtares kur ka zgjedhur këtë këngë për videon e tij, apo nëse e ka përdorur atë thjesht për shkak të popullaritetit të remix-it në platformë. /Telegrafi/





