Greva e punëtorëve teknikë të shkollave të Komunës së Prishtinës do të vazhdojë, pasi takimi ndërmjet përfaqësuesve të sindikatës dhe zyrtarëve komunalë nuk ka prodhuar një zgjidhje përfundimtare të kërkesave të punëtorëve.

Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), sipas së cilës, sot është mbajtur një takim ndërmjet kryetarit të sindikatës, Jusuf Azemi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Florijan Dushi, si dhe shefit të kabinetit të kryetarit të komunës, Florijan Maliqi.
Gjatë takimit është diskutuar për grevën e punëtorëve teknikë të shkollave të kryeqytetit, por, sipas sindikatës, për shkak të problemeve të brendshme të komunës, palët nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare.
Megjithatë, është dakorduar që takimi i radhës të mbahet të martën, më 3 nëntor 2026, me shpresën se do të gjendet një zgjidhje për kërkesat e punëtorëve.
Sindikalistët kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Deri atëherë, mbetet të shihet nëse takimi i ardhshëm do të sjellë një marrëveshje mes sindikatës dhe Komunës së Prishtinës, e cila do t’i hapte rrugë përfundimit të grevës. /Telegrafi/




