Virgil van Dijk është lidhur fuqishëm me një transferim te Milani dhe pranon se nuk e ka “asnjë ide” se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por veterani i Liverpoolit është i bindur se mund të luajë edhe “për shumë vite të tjera”.

35-vjeçari dihet se është një nga objektivat kryesorë të klubit italian dhe pronarit të RedBird, Gerry Cardinale, i cili kishte tentuar ta transferonte atë edhe verën e kaluar.
Në Itali raportohet gjerësisht se tentativa për transferimin e tij vetëm është shtyrë dhe se Van Dijk përfundimisht do ta veshë fanellën e Milanit në “San Siro”.
Kjo mund të ndodhë edhe si futbollist i lirë, nëse kontrata e tij me Liverpoolin përfundon më 30 qershor 2027.
“Gjëja më e rëndësishme për mua është se ndihem mirë, po kujdesem për veten dhe, sipas mendimit tim, kam ende shumë vite të tjera për të luajtur”, ka thënë Van Dijk për “Sky Sports UK”.
“Çfarëdo që do të ndodhë pas këtij sezoni, do ta shohim. Në këtë moment, nëse dikush thotë apo pretendon se e di se çfarë do të bëj sezonin e ardhshëm, kjo nuk është e vërtetë, sepse as unë vetë nuk e kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Komentet dhe toni i intervistës sugjerojnë se aventura e reprezentuesit holandez te Liverpooli mund të jetë drejt fundit, duke hapur kështu rrugën për një transferim te Milani.
“Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, gati 10 vjet këtë verë. Ka qenë një pjesë e madhe e jetës sime dhe do të jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka që ka ndodhur gjatë këtyre viteve.
Nëse do të ketë vazhdim të bashkëpunimit, do ta shohim atëherë. Nëse jo, atëherë do të them lamtumirë gjatë verës”, deklaroi mbrojtësi holandez.
Interesant është fakti se kompania e Cardinales, RedBird, zotëron gjithashtu një pjesë të aksioneve në Fenway Sports Group, kompani e cila në anën tjetër zotëron 62 për qind të aksioneve të Liverpoolit.
Përpjekjet e Milanit për transferimin e Van Dijk mund të varen edhe nga fakti nëse klubi italian arrin të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm./GazetaExpress/
Burimi: Insajderi





