Turpi i futbollistëve që bëjnë politikë me Palestinën dhe dështojnë në sport

Turpi i futbollistëve që bëjnë politikë me Palestinën dhe dështojnë në sport

Turpi i futbollistëve që bëjnë politikë me Palestinën dhe dështojnë në sport

Sa fëmijë palestinezë kanë pasur një racion më të pasur ushqimi falë uljes së kokës së disa futbollistëve kosovarë gjatë ndeshjes me Izraelin? Sa është shkurtuar rruga drejt paqes në Lindjen e Mesme falë një gjesti të tillë në fushën e blertë? Sa arabë apo palestinezë e kanë parë këtë gjest dhe i kanë duartrokitur këta lojtarë që vendosën të luajnë rolin e politikanit në vend të futbollistit?

Sponsor 3M Express

Le të mbeten këto pyetje të hapura, përderisa unë do t’i përgjigjem njërës prej tyre. Ambasada e Palestinës në Serbi, e cila mbulon edhe Malin e Zi, nuk e ka përmendur këtë gjest, të paktën deri tani. Vështirë se një gjest i tillë do ta ndryshojë qëndrimin negativ të Palestinës ndaj pavarësisë së Kosovës. Nuk është se na duhet përkrahja e tyre, por kjo vlen të përmendet për të kuptuar se sa pak mund të arrijë një veprim i tillë.

Për mua, ulja e kokës ishte një veprim i kotë, me potencial për pasoja negative për Kosovën. Një gjest që mund t’u ketë sjellë vetëkënaqësi morale atyre që e bënë dhe atyre që e përkrahën, por që nuk i ka sjellë asgjë konkrete popullit palestinez. Përkundrazi, ka hapur një debat tjetër përçarës në Kosovë dhe ka rrezikuar të dëmtojë marrëdhëniet me një shtet që e ka njohur pavarësinë tonë.

Sporti dhe aktet politike

Në historinë e sportit ka akte politike që kanë mbetur në kujtesën e njerëzimit. Por, disa nga më të fuqishmet kanë qenë akte kundër padrejtësive të shtetit të vet, jo shfaqje mosrespektimi ndaj kundërshtarit sportiv.

Në Lojërat Olimpike të vitit 1968, në Meksikë, dy atletë amerikanë me ngjyrë, Tommie Smith dhe John Carlos, ngritën grushtet e veshur me dorëza të zeza dhe ulën kokat gjatë himnit amerikan. Ishte protestë kundër diskriminimit racor në shtetin e tyre. Ata nuk po përçmonin një kundërshtar sportiv, por po kërkonin që vendi i tyre t’i trajtonte qytetarët e vet me dinjitet. Gjesti i tyre hyri në histori.

Një rast tjetër, edhe më domethënës, ndodhi në Berlinin e vitit 1936, në Lojërat Olimpike të organizuara nga Gjermania naziste. Atleti gjerman Luz Long e përgëzoi dhe e përqafoi atletin amerikan me ngjyrë, Jesse Owens, i cili e kishte mundur në kërcim së gjati. Në një stadium ku regjimi i Hitlerit synonte të demonstronte epërsinë racore, një gjerman tregoi respekt dhe miqësi ndaj një atleti që ideologjia naziste e konsideronte inferior.

Pa ngritur asnjë pankartë, pa fyer asnjë kundërshtar dhe pa ulur kokën para himnit të një vendi tjetër, Longu dha një mesazh që në thelb i thoshte “fuck you” ideologjisë raciste të shtetit të vet.

Këto janë gjeste që mbeten në histori, sepse mbartin një mesazh të fuqishëm moral.

Ndërsa, gjesti ynë i mosrespektimit ndaj kundërshtarit sportiv, të cilin e kemi ftuar në shtëpinë tonë, për mua është edhe një lloj “magarie”. Sidomos kur kemi parasysh edukatën dhe kulturën tradicionale shqiptare, ku mikpritja zë vend qendror.

Mund të jesh kundër politikave të qeverisë izraelite, mund të dënosh luftën në Gazë dhe vuajtjet e civilëve palestinezë, pa treguar mungesë respekt ndaj sportistëve që përfaqësojnë atë vend. Por, këto i bënë pa fanellën e Kosovës.

Sporti dhe uniteti

Por, ajo që më shqetëson më shumë është se ky gjest solli përçarje dhe jo unitet. Dy gjëra që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, si për sportin, ashtu edhe për një komb të vogël si yni.

Pas përfundimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela u përball me një shoqëri të ndarë thellësisht. Të bardhët dhe të zinjtë kishin jetuar për dekada në dy botë të ndryshme, me padrejtësi, urrejtje dhe mosbesim të thellë.

Mandela kërkonte diçka që mund t’i bashkonte.

Dhe, e gjeti te sporti.

Në vitin 1995, Afrika e Jugut organizoi Kupën e Botës në ragbi. Ekipi kombëtar, Springboks, ishte pothuajse tërësisht i bardhë. Për shumicën me ngjyrë, ai ekip dhe fanella e tij ishin simbole të aparteidit, të shtypjes dhe të privilegjeve të pakicës së bardhë.

Mandela mund ta kishte refuzuar atë simbol. Mund ta kishte përdorur sportin për të shprehur zemërimin e shumicës së shtypur. Do të kishte pasur arsye të forta historike për ta bërë këtë.

Por, bëri të kundërtën.

Veshi fanellën e Springboks-it, me numrin e kapitenit François Pienaar, dhe doli para stadiumit të mbushur kryesisht me tifozë të bardhë. Ata që dikur e kishin parë si armik, tani brohorisnin emrin e tij.

Afrika e Jugut fitoi Kupën e Botës dhe për një moment historik, një vend thellësisht i ndarë festoi së bashku.

Mandela nuk e përdori sportin për t’ua kujtuar njerëzve arsyet pse duhej ta urrenin njëri-tjetrin. E përdori për t’u dhënë një arsye që të bashkoheshin.

Kjo ishte madhështia e gjestit të tij.

Në Evropë, sporti përdoret vazhdimisht për të promovuar luftën kundër racizmit, për të treguar diversitetin e shoqërive dhe për të vlerësuar arritjet e atyre që historikisht kanë pasur më pak mundësi.

Xhaka dhe Shaqiri kanë bërë mrekulli për dinjitetin dhe imazhin e shqiptarëve në Zvicër. Jo duke përçmuar kundërshtarët, por duke qenë të suksesshëm dhe duke dëshmuar se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane.

E çfarë bëmë ne?

Në ekipin e Kosovës, një pjesë e lojtarëve ndërmorën një akt që nuk solli asgjë të dukshme të mirë në shkretëtirat e Lindjes së Mesme, por që solli ndasi, përçarje dhe një debat të panevojshëm në vendin tonë.

Ky ekip, sikurse secili ekip tjetër që përfaqëson shtetin tonë të vogël dhe relativisht të varfër, duhet të jetë simbol i unitetit, i ndërtimit të miqësive dhe pika ku bashkohemi, jo pika ku ndahemi.

Fakti që disa lojtarë ulën kokën dhe të tjerët jo tregon se nuk pati një qëndrim të përbashkët për këtë gjest politik. Dhe, fakti që Facebook-u është mbushur me sharje e fyerje të ndërsjella, tregon se gjestet e tilla mund të krijojnë përçarje në shoqërinë tonë për çështje mbi të cilat Kosova ka fare pak ndikim.

Për çfarë na duhej kjo?

Për të dëshmuar se kush është më shumë me Palestinën? Për të matur patriotizmin, moralin apo ndjeshmërinë e njëri-tjetrit ndaj vuajtjeve të një populli tjetër?

Për mua, lojtarët që e bënë këtë gjest duhet të reflektojnë mbi përgjegjësinë që mbajnë kur veshin fanellën e Kosovës. Ajo fanellë nuk është platformë për bindjet politike individuale. Është simbol i një shteti dhe i të gjithë qytetarëve të tij, pavarësisht bindjeve fetare e politike.

Miqtë nuk fitohen duke i fyer

Nuk duhet të harrojmë se Izraeli dhe shumë personalitete hebraike kanë qenë mbështetës të rëndësishëm të Kosovës në periudha të ndryshme të luftës sonë për liri dhe të përpjekjeve për shtetësi. Pa asnjë interes për ta.

Sot Izraeli e njeh Kosovën, kemi marrëdhënie diplomatike dhe ambasador izraelit jorezident.

Për një vend si Kosova, që ende lufton për njohje ndërkombëtare, këto marrëdhënie nuk janë të parëndësishme.

Kjo është punë e politikës, e diplomacisë dhe e debatit publik. Nuk shoh se çfarë fiton Kosova kur futbollistët e saj vendosin të bëjnë diplomaci me kokën ulur gjatë himnit të kundërshtarit.

Madje, për një vend që ka përjetuar vetë luftën, dëbimet dhe vuajtjet e civilëve, do të ishte shumë më dinjitoze të shprehej solidariteti me viktimat pa e kthyer një ndeshje futbolli në një arenë tjetër armiqësie.

Sepse, solidariteti me një popull nuk matet me shkallën e mosrespektimit që tregojmë ndaj popullit tjetër.

Më mirë një gol se një gjest politik

Në fund të fundit, futbollistët tanë kanë një detyrë kryesore kur dalin në fushë: të luajnë futboll dhe ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë.

Në ndeshjen kundër Izraelit nuk shënuan asnjë gol. Rezultati ishte 0 me 0.

Do të kishte qenë shumë më mirë të kishin shënuar ndonjë gol kundër Izraelit sesa të bënin politikë. Por, siç duket, kur nuk arrin të bësh atë për të cilën je në fushë, është më lehtë të marrësh vëmendje duke futur hundët në çështje të tjera.

Dhe, nëse futbollistët tanë vërtet duan t’i ndihmojnë palestinezët, kanë mundësi ta bëjnë këtë në mënyra shumë më konkrete.

Mund ta hapin kuletën dhe të dhurojnë nga njëqind mijë euro për ndihma humanitare. Mund të financojnë ushqim, barna, trajtime mjekësore apo strehim për familjet që kanë humbur gjithçka.

Një veprim i tillë do të kishte vlerë reale për njerëzit që vuajnë. Dhe, nuk do të kërkonte as fyerjen e kundërshtarit, as përçarjen e tifozëve kosovarë.

Por, natyrisht, është shumë më lehtë të bësh politikë me një gjest që nuk të kushton asgjë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Biden për Zelenskyn në librin e kujtimeve: I luhatshëm në disponim, jo aq mirënjohës sa prisja

Biden për Zelenskyn në librin e kujtimeve: I luhatshëm në disponim, jo aq mirënjohës sa prisja

Shqipëria ngritet në renditjen e re të FIFA-s

Shqipëria ngritet në renditjen e re të FIFA-s

Sveçla: Të huajt mund të aplikojnë online për herë të parë për lejeqëndrim në Kosovë

Sveçla: Të huajt mund të aplikojnë online për herë të parë për lejeqëndrim në Kosovë