Shtetasi shqiptar Edison Pula, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal “Nikla”, është paraqitur të martën, më 17 nëntor, para gjykatës së Reimsit në Francë, ku është shqyrtuar kërkesa për vazhdimin e paraburgimit të tij. Për shoqërimin e tij është organizuar një operacion i posaçëm sigurie, me angazhimin e njësive speciale të administratës penitenciare franceze.

Gazeta franceze “L’Union” raportoi se gjykata ishte vendosur nën masa të larta sigurie, me një prani të pazakontë të pjesëtarëve të armatosur dhe personave me kapuç në ambientet e saj. Sipas gazetës, të martën në mëngjes, më 17 nëntor, në gjykatë u angazhuan ekipet ERIS – njësitë rajonale të ndërhyrjes dhe sigurisë, që janë pjesë e administratës së burgjeve në Francë.
Detyra e tyre ishte shoqërimi i Pulës, 31-vjeçar, të cilin mediat franceze e përshkruajnë si person të rrezikshëm dhe me precedentë të gjatë penalë, transmeton Telegrafi.
Gazeta raportoi gjithashtu se rruga Rue du Trésor u bllokua nga persona të armatosur në mesditë, për të siguruar largimin e autokolonës që transportonte të dyshuarin.
Pula dyshohet se ka drejtuar grupin kriminal shqiptar të njohur si “Nikla”, i cili akuzohet për përfshirje në rreth 50 vjedhje me thyerje në banesa luksoze në Francë dhe Belgjikë. Sipas informacioneve të publikuara për këtë rast, në shënjestër të grupit dyshohet se kanë qenë biznesmenë, futbollistë, këngëtarë dhe persona të tjerë të njohur. Dëmi financiar nga këto vepra vlerësohet të kalojë një milion euro.
Edison Pula ishte arratisur në vitin 2022 nga burgu i Trevisos në Itali, ndërsa u arrestua në Luksemburg në janar të vitit 2025.
Seanca e 17 nëntorit në Reims nuk kishte të bënte me shqyrtimin përfundimtar të akuzave për grabitjet, por me kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij./Telegrafi/





