Drejtori kombëtar i sigurisë kibernetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sean Cairncross, është shkarkuar nga detyra, pas një serie ndërprerjesh të sistemeve teknologjike që kanë prekur sektorë të rëndësishëm në të gjithë vendin.

Raportohet se Kirsten Davies, e cila aktualisht mban postin e drejtoreshës së teknologjisë së informacionit në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, pritet ta zëvendësojë përkohësisht Cairncrossin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka përgëzuar Daviesin për detyrën e re.
“Urime drejtoreshës së re kombëtare të sigurisë kibernetike, Kirsten Davies. Pres me kënaqësi të bashkëpunojmë për të forcuar sigurinë kibernetike të Amerikës”, ka deklaruar Rubio.
Davies ka shërbyer në Pentagon si këshilltare kryesore e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për çështjet që lidhen me menaxhimin e informacionit, teknologjinë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e sistemeve informative.
Shkarkimi i Cairncrossit vjen pas disa javësh problemesh teknologjike në SHBA, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje në transport, komunikime dhe shërbime bankare.
Probleme janë raportuar edhe në një sistem të brendshëm të përdorur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA).
Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse këto ndërprerje kanë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i shkarkimit të tij.
Drejtori kombëtar i sigurisë kibernetike është përgjegjës për këshillimin e presidentit amerikan lidhur me politikat dhe strategjinë e sigurisë kibernetike, përfshirë mbrojtjen e të dhënave, sigurinë e informacionit dhe parandalimin e aktiviteteve keqdashëse në hapësirën digjitale.
Ky institucion, i themeluar në vitin 2021, ka gjithashtu përgjegjësinë për koordinimin e politikave të sigurisë kibernetike ndërmjet institucioneve federale.
Në mars, administrata e presidentit Donald Trump publikoi një strategji shtatëfaqëshe për sigurinë kibernetike, duke u zotuar të veprojë me shpejtësi dhe në mënyrë proaktive për neutralizimin e kërcënimeve digjitale.
Strategjia përfshin thjeshtimin e rregulloreve, modernizimin e sistemeve federale të informacionit, forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe ruajtjen e përparësisë teknologjike të SHBA-së në fushën e Al. /Telegrafi/





