Liderët evropianë kanë deklaruar se janë të gatshëm të ulen në tryezën e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke shprehur mbështetje të fuqishme për Kievin.

Kryeministri britanik, Andy Burnham, deklaroi se Evropa ka një qëndrim të qartë, të qëndrueshëm dhe të unifikuar në negociata, ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi se kërkesat maksimale të Moskës nuk janë realiste, transmeton klankosova.tv.
Deklaratat u bënë gjatë samitit në Berlin, ku u mblodhën aleatët e Ukrainës në kuadër të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”.
Sipas BBC, Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe njëri nga dy të dërguarit amerikanë në Berlin, tha se Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje me Moskën, me Evropën në krah të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin deri më tani ka kundërshtuar përfshirjen e evropianëve në negociatat e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja.
Trump, i cili më herët kishte zhvilluar një takim historik trepalësh në Shenzhen të Kinës me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping, më pas iu bashkua përmes telefonit samitit të Berlinit, nga avioni presidencial Air Force One.
Pas takimit me Trumpin dhe Xi Jinpingun, Putin mbajti një konferencë të gjatë për media, ku foli edhe për mundësinë e negociatave shumëpalëshe për paqen. Ai tha se pala amerikane po i kërkon me ngulm Rusisë që të lejojë pjesëmarrjen e vendeve evropiane në bisedime.
Putin pretendoi se Moska nuk është kundër kësaj ideje, por kërkon të kuptojë se çfarë do të sjellë Evropa në tryezën e negociatave.
Ai bëri të ditur se Rusia i ka ftuar përmes kanaleve diplomatike përfaqësuesit evropianë në Moskë, në mënyrë që të qartësojnë qëndrimet e tyre. Pas kësaj, sipas tij, do të vendoset formati i vazhdimit të dialogut me Ukrainën.
Megjithatë, Putin përsëriti se Rusia nuk planifikon të sulmojë askënd, duke kritikuar deklaratat e liderëve evropianë për mundësinë e një lufte në vitin 2030. Në të njëjtën kohë, ai pranoi se diskutimi i çështjeve të sigurisë në Evropë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e vetë vendeve evropiane.
Nga ana tjetër, Jared Kushner deklaroi se Trump është kthyer nga takimi në Shenzhen me bindjen se paqja është e arritshme.
Ai u shpreh optimist se Rusia është e gatshme të pranojë përfshirjen e evropianëve në negociata, duke shtuar se Moska tashmë është më e hapur ndaj mundësisë që Ukraina të marrë garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Ky nen parasheh që një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s të konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës, duke kërkuar mbështetjen e aleatëve për vendin e sulmuar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, prej kohësh kërkon garanci të tilla për vendin e tij. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur sinjale të qarta se Putini do të pranonte një kusht të tillë.
Rusia kundërshton kategorikisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ndërkohë, sipas raportimeve, negociatorët amerikanë kanë shqyrtuar mundësinë që Kievi të marrë garanci të ngjashme me nenin 5, pa u bërë pjesë e aleancës, në këmbim të lëshimeve të vështira territoriale.
Zelensky dhe tre liderët evropianë – Merz, Burnham dhe presidenti francez Emmanuel Macron – u treguan më të rezervuar sesa Kushner.
Presidenti ukrainas theksoi se deri më tani Putin i ka refuzuar të gjitha propozimet për paqe.
“Putini gjithmonë ka thënë jo”, deklaroi Zelensky.
Edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, shprehu skepticizëm, ndonëse vlerësoi se përfshirja e Shteteve të Bashkuara po i rrit gjasat për arritjen e paqes.
Merz tha se Evropa është e gatshme të zhvillojë diskutime serioze me Rusinë për sigurinë evropiane, por vetëm nëse këto shoqërohen fillimisht me një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
“Bisedimet duhet të fillojnë dhe ne do t’i pranojmë ato nëse kushtet janë të pranueshme për Evropën dhe Ukrainën”, deklaroi kancelari gjerman.





