Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një tjetër paralajmërim ndaj Iranit, duke deklaruar se lufta mes dy vendeve do të përfundojë shumë shpejt, qoftë përmes një marrëveshjeje diplomatike, qoftë përmes ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për rrjetin televiziv RSBN, Trump u shpreh i bindur se Uashingtoni ka arritur një fitore të rëndësishme ushtarake dhe se konflikti po i afrohet fundit.
“Ne kemi arritur një fitore kaq të madhe dhe do ta përfundojmë çështjen shumë shpejt, në një mënyrë ose në një tjetër. Ose ata do të bëjnë një marrëveshje, ose ne do ta përfundojmë atë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump la të kuptohet se Teherani ende ka mundësinë të zgjedhë rrugën diplomatike, por nuk dha detaje se çfarë veprimesh mund të ndërmarrë administrata amerikane nëse negociatat dështojnë.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur zyrtarët iranianë dhe ndërmjetësit nga Katari po zhvillojnë bisedime në Doha, për të tretën ditë radhazi, me synimin për të arritur një marrëveshje që do të hapte rrugën për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka konfirmuar se konsultimet po vazhdojnë, por ka bërë të ditur se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me propozimin që po shqyrtohet.
Ai theksoi se Irani mbetet i përgatitur si për një zgjidhje diplomatike, ashtu edhe për një përballje ushtarake.
Ndërkohë, Trump ka deklaruar se nuk planifikon të urdhërojë sulme të reja ndaj Iranit para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të parapara për 3 nëntor.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk e ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




