Iliriana Jaka Gashi në “Rrugëtimi” – nga një rrugë që nuk e kishte planifikuar te historitë që i ndryshuan jetën

Iliriana Jaka Gashi në “Rrugëtimi” – nga një rrugë që nuk e kishte planifikuar te historitë që i ndryshuan jetën

Iliriana Jaka Gashi në “Rrugëtimi” – nga një rrugë që nuk e kishte planifikuar te historitë që i ndryshuan jetën

Iliriana Jaka Gashi, drejtoreshë e organizatës Women for Women, ka rrëfyer për sfidat personale dhe profesionale, ndryshimin e mentalitetit ndaj grave në Kosovë dhe historitë që kanë shënuar punën e saj gjatë 15 viteve të fundit.

Sponsor 3M Express

E ftuar në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi” në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, Jaka Gashi ka folur për rrugëtimin e saj nga studimet për mjekësi deri te angazhimi për fuqizimin ekonomik dhe social të grave, duke treguar se jeta e kishte orientuar drejt një profesioni që nuk e kishte planifikuar.

“Përshkrimi i rrugës time me një fjali është që jeta të çon kah nuk e ke mendu”, është shprehur ajo.

Duke kujtuar vitet e vështira të Kosovës, Jaka Gashi ka treguar se në vitin 1990, kur ishte drejt përfundimit të studimeve për mjekësi, mbyllja e institucioneve ia kishte ndryshuar rrjedhën profesionale.

“U mbyll fakulteti, u mbyll universiteti, në fakt, u mbyllën të gjitha institucionet”, ka rrëfyer ajo.

Pas luftës, gjatë së cilës kishte qenë refugjate me dy fëmijë të vegjël, ajo kishte tentuar t’i rikthehej profesionit të mjekes, por pauza e gjatë dhe përjetimet personale kishin ndikuar në vendimin e saj për të ndjekur një drejtim tjetër.

Iliriana Jaka Gashi gjatë podcastit “Rrugëtimi”

Më vonë, ajo ishte angazhuar në administrimin shëndetësor dhe në projekte zhvillimore, përpara se të merrte drejtimin e organizatës Women for Women.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës i është kushtuar pozitës së grave në shoqërinë kosovare dhe pengesave me të cilat ato përballen për të arritur pavarësinë ekonomike.

Jaka Gashi ka vlerësuar se gjatë 15 viteve të fundit është shënuar përparim në mentalitetin e shoqërisë, por ende mbeten sfida të mëdha, veçanërisht në ndarjen e përgjegjësive familjare.

Duke kujtuar qëndrimet me të cilat përballeshin gratë në të kaluarën, ajo ka përmendur një mentalitet sipas të cilit gruaja nuk duhej të punonte jashtë shtëpisë.

“Gruaja ime nuk ka nevojë me dalë prej shtëpisë, ne mundemi edhe me hekë fukarallëk, por unë jam ai që ka me dalë me punu”, ka cituar ajo një qëndrim të tillë.

Sipas saj, kjo qasje ka ndryshuar, por gratë që punojnë vazhdojnë të mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësive të shtëpisë dhe kujdesit familjar.


– YouTube www.youtube.com

Ajo ka theksuar se puna e papaguar e kujdesit mbetet ndër pengesat kryesore për përfshirjen e grave në tregun e punës, duke kërkuar mbështetje më të madhe institucionale, përfshirë shtimin e çerdheve dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për familjet.

Gjatë bisedës, drejtoresha e Women for Women ka ndarë disa nga historitë që i kanë mbetur në kujtesë gjatë punës me gratë.

Njëra prej tyre lidhet me një familje që ishte përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe emocionale. Një tjetër rrëfim veçanërisht prekës lidhet me gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Jaka Gashi ka treguar se në vitin 2012, një grup grash kishte kontaktuar organizatën për të folur për përjetimet e tyre gjatë luftës.

“Edhe na kanë tregu që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka rrëfyer ajo. Sipas saj, këto gra kishin folur për herë të parë për përjetimet e tyre pas 13 vitesh.

Organizata më pas u kishte ofruar mbështetje, ndërsa gratë kishin arritur të përfitonin edhe pensionet përkatëse.

Përveç historive të grave, Jaka Gashi ka folur edhe për sakrificat e saj personale gjatë drejtimit të organizatës. Ajo ka kujtuar periudha kur kishte punuar me orë të gjata për të siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve, veçanërisht gjatë sfidave organizative dhe pandemisë.

Sipas saj, sakrifica më e madhe ka qenë koha që ia kishte marrë vetes dhe familjes. Duke reflektuar për rrugëtimin e saj, ajo ka pranuar se përfshirja emocionale në punë ka qenë njëkohësisht forcë dhe sfidë.

“Ndoshta është pjesë e suksesit tim që nuk kam qenë e ftohtë”, është shprehur ajo.

Megjithatë, Jaka Gashi ka theksuar se, nëse do t’i jepej mundësia të kthehej pas do ta zgjidhte sërish këtë rrugëtim, ndonëse disa vendime do t’i merrte ndryshe.

Duke folur për të ardhmen e Women for Women, Jaka Gashi ka treguar se organizata synon të vazhdojë mbështetjen e grave përmes aftësimit profesional, ndihmës për punësim dhe zhvillimit të bizneseve.

Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se ndryshimi i prioriteteve të donatorëve ndërkombëtarë po krijon vështirësi të reja për organizatat zhvillimore. /Telegrafi/

Lexo edhe

Asgjëson  21,226 kilogramë produkte mishi, vazhdon gjurmueshmëria

Asgjëson 21,226 kilogramë produkte mishi, vazhdon gjurmueshmëria

Shkrirja e akullit polar përshpejtohet, shkencëtarët paralajmërojnë pasoja afatgjata për Tokën

Shkrirja e akullit polar përshpejtohet, shkencëtarët paralajmërojnë pasoja afatgjata për Tokën

Ishte pranë kalimit te Real Madridi, ylli i Interit i nis negociatat me Barcelonën

Ishte pranë kalimit te Real Madridi, ylli i Interit i nis negociatat me Barcelonën

Iliriana Jaka Gashi në “Rrugëtimi” – nga një rrugë që nuk e kishte planifikuar te historitë që i ndryshuan jetën | Momenti