Telefonatat e bllokuara dhe urdhri i klasifikuar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime për Erion Veliaj

Telefonatat e bllokuara dhe urdhri i klasifikuar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime për Erion Veliaj

Telefonatat e bllokuara dhe urdhri i klasifikuar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime për Erion Veliaj

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar disa problematika pas monitorimit të kushteve të paraburgimit të Erion Veliajt në IEVP Fier. KShH kërkon transparencë për arsyet e transferimit, rikthimin e komunikimeve telefonike dhe garantimin e kujdesit shëndetësor.

Sponsor 3M Express

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësime për mënyrën e transferimit të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, si dhe për respektimin e të drejtave të tij gjatë qëndrimit në institucionin e ri.

Në një deklaratë publike të ditës së sotme, KShH bën të ditur se më 30 tetor ka zhvilluar një mision monitorimi në IEVP Fier, ku përfaqësuesit e tij kanë takuar Veliajn në mënyrë konfidenciale, kanë inspektuar ambientet ku ai qëndron dhe janë takuar me drejtuesit e institucionit.

Sipas Komitetit, nga monitorimi janë evidentuar problematika që lidhen me procedurën e transferimit, kufizimin e komunikimeve me familjarët, dokumentacionin shëndetësor dhe kushtet e sigurisë.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me urdhrin e transferimit, të cilin monitoruesi i KShH-së arriti ta këqyrte për një kohë të kufizuar. Në dokument, motivi i lëvizjes së Veliajt ishte përcaktuar në mënyrë të përgjithshme si “për arsye sigurie”, ndërsa urdhri mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

KShH vlerëson se, megjithëse transferimi për arsye sigurie parashikohet nga ligji, vendimi duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe të dokumentuara. Sipas tij, klasifikimi i dokumentit nuk duhet të pengojë të paraburgosurin të njihet me arsyet thelbësore të vendimit dhe ta kundërshtojë atë në gjykatë.

Një tjetër problematikë e konstatuar lidhet me komunikimet telefonike. Sipas deklaratës, dy ditë pas transferimit, Veliaj nuk kishte mundur të kontaktonte familjarët, pasi aktivizimi i numrave të telefonit kërkonte procedura të reja administrative dhe miratimin e një liste të re.

Komiteti thekson se vonesat teknike dhe administrative nuk duhet të sjellin kufizimin faktik të të drejtave që garantohen nga ligji.

Gjatë monitorimit u ngritën gjithashtu shqetësime për vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor. Sipas KShH-së, në institucionin e Fierit kishte mbërritur vetëm dokumentacioni juridik i Veliajt, ndërsa ai mjekësor dhe psikosocial ende nuk ishte administruar.

Veliaj kishte deklaruar se kishte një frakturë në këmbën e majtë dhe se nuk kishte kryer kontrollin radiologjik të rekomanduar. Drejtuesit e burgut, sipas deklaratës, kishin konfirmuar se ishin në dijeni të problematikës dhe se synonin të mundësonin ekzaminimin gjatë javës pasardhëse.

KShH ka ngritur pikëpyetje edhe për kushtet e vendosjes dhe sigurinë personale të Veliajt. Gjatë inspektimit u konstatua se qelia ku ai ishte vendosur fillimisht kishte dritare jofunksionale. Ndërkohë, vetë Veliaj kishte shprehur shqetësime për praninë në të njëjtën hapësirë të një personi të dënuar për krime të rënda. Drejtuesit e institucionit deklaruan se ishin marrë masa për të shmangur kontaktet dhe se nuk ishte evidentuar ndonjë rrezik konkret për jetën e tij.

Në deklaratë trajtohet edhe çështja e komunikimit institucional, pasi Veliaj ka kërkuar të kontaktojë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe administratës bashkiake për çështje që lidhen me funksionin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas KShH-së, paraburgimi nuk nënkupton automatikisht humbjen e çdo mundësie për ushtrimin e kompetencave që nuk janë kufizuar me ligj.

Në përfundim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të sqarojnë bazën ligjore të transferimit dhe klasifikimit të urdhrit, të garantojnë komunikimet telefonike, të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe të rivlerësojnë kushtet e sigurisë.

KShH thekson se gjetjet e monitorimit nuk përbëjnë një vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë e Erion Veliajt, por lidhen vetëm me respektimin e të drejtave dhe garancive ligjore të një personi të privuar nga liria.

“Privimi nga liria nuk nënkupton privimin nga të drejtat”, thekson Komiteti, duke bërë të ditur se do të vijojë të ndjekë këtë rast dhe zbatimin e rekomandimeve të tij.

DEKLARATA E PLOTË – Shqetësime serioze për procedurën e transferimit të Z. Erion Veliaj, kufizimin e komunikimeve dhe respektimin e të drejtave të tij në paraburgim

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të pretendimeve të bëra publike nga i paraburgosuri Z. Erion Veliaj lidhur me transferimin e tij nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në IEVP Fier, zhvilloi më 30 tetor 2026 një mision monitorimi për verifikimin e procedurave të ndjekura dhe kushteve të trajtimit të tij.

Gjatë monitorimit, përfaqësuesi i KShH-së zhvilloi një takim konfidencial me të paraburgosurin, inspektoi mjediset ku ai ishte vendosur dhe u takua me drejtuesit dhe personelin përgjegjës të IEVP Fier.

Nga monitorimi rezultuan problematika që ngrenë shqetësime për respektimin e garancive ligjore gjatë transferimit, transparencën e vendimmarrjes administrative, mundësinë e ushtrimit të së drejtës së ankimit, komunikimin me familjarët, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e trajtimit në paraburgim.

KShH thekson se statusi i një personi si i paraburgosur nuk e zhvesh atë nga të drejtat që nuk i janë kufizuar me ligj ose me vendim gjyqësor.Autoritetet penitenciare kanë detyrimin t’i garantojnë këto të drejta pa diskriminim, pavarësisht identitetit, funksionit publik apo akuzave me të cilat përballet.

Transferimi me një urdhër të klasifikuar dhe pengesat për ankimin efektiv

Një nga gjetjet më shqetësuese të monitorimit lidhet me mungesën e komunikimit të urdhrit të transferimit dhe të arsyeve konkrete që e kanë diktuar këtë vendim.

Sipas deklarimeve të të paraburgosurit, transferimi iu njoftua më 28 tetor, pa iu vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës dhe pa iu shpjeguar fillimisht as institucioni ku do të dërgohej.

Monitoruesi i KShH-së arriti të këqyrë për një kohë të kufizuar urdhrin e transferimit, në të cilin motivi shënohej në mënyrë të përgjithshme, “për arsye sigurie”, ndërsa dokumenti mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet.

KShH vlerëson se transferimi për arsye sigurie është një masë e parashikuar nga legjislacioni, por përdorimi i saj duhet të mbështetet në rrethana konkrete, të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Nga shqyrtimi paraprak i kuadrit ligjor, veçanërisht i ligjit nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, nuk rezulton e qartë baza konkrete që justifikon klasifikimin e këtij urdhri në interes të sigurisë kombëtare. Siguria e një institucioni penitenciar dhe siguria kombëtare nuk janë domosdoshmërisht koncepte të barasvlershme.

KShH nuk paragjykon ekzistencën e arsyeve të ligjshme të sigurisë që mund të kenë motivuar transferimin. Megjithatë, klasifikimi i një akti administrativ nuk mund të shndërrohet në pengesë për njohjen e personit me vendimin që e prek drejtpërdrejt dhe për kundërshtimin e tij në gjykatë.

Ligji nr. 81/2020 njeh të drejtën e ankimit gjyqësor kundër vendimeve të autoriteteve penitenciare. Kjo e drejtë rrezikon të mbetet formale nëse personi nuk njeh përmbajtjen thelbësore dhe arsyet e vendimit.

KShH vlerëson se kjo problematikë shkon përtej rastit konkret dhe evidenton nevojën për rregulla më të qarta lidhur me njoftimin, arsyetimin dhe kontrollin gjyqësor të urdhrave të transferimit.

Kufizimi faktik i komunikimeve telefonike

Në momentin e monitorimit, dy ditë pas transferimit, i paraburgosuri nuk kishte mundur të realizonte komunikime telefonike me familjarët dhe personat e tjerë me të cilët kërkonte të kontaktonte.

Sipas drejtuesve të IEVP Fier, aktivizimi i komunikimeve kërkonte miratimin e një liste të re numrash telefonikë dhe përfundimin e procedurave me kompaninë që ofron shërbimin. Për shkak të fundjavës, kjo procedurë mund të shtyhej të paktën deri më 2 nëntor.

KShH vëren se ligji nr. 81/2020 garanton të drejtën e të paraburgosurit për të informuar menjëherë familjen mbi transferimin dhe vendndodhjen e tij. Kufizimet e komunikimeve duhet të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë garancitë përkatëse procedurale.

Vonesat administrative apo teknike nuk duhet të prodhojnë, në praktikë, kufizime të të drejtave që ligji nuk i parashikon.

Në rastin konkret, kërkon shpjegim përse nuk u mundësua vazhdimësia e komunikimeve nëpërmjet numrave të miratuar më parë nga IEVP Durrës.

Ushtrimi i funksioneve publike dhe komunikimi institucional

Një rrethanë e veçantë e këtij rasti është se Z. Erion Veliaj vijon të gëzojë statusin juridik të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkarkimin e tij.

Gjatë monitorimit, ai deklaroi se kishte kërkuar mundësinë e komunikimit me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të administratës bashkiake, si dhe marrjen dhe përcjelljen e dokumentacionit që lidhet me ushtrimin e funksionit të tij.

Drejtuesit e IEVP Fier deklaruan se për këto kërkesa do të konsultoheshin me prokurorët e çështjes.

KShH vlerëson se paraburgimi sjell kufizime të ligjshme të lirisë personale, por nuk nënkupton automatikisht humbjen e funksionit publik apo të çdo mundësie për ushtrimin e kompetencave që nuk janë kufizuar ligjërisht.

Pa cenuar kompetencat e organeve proceduese dhe kërkesat e sigurisë, autoritetet përkatëse duhet të shqyrtojnë me kujdes mundësitë ligjore dhe praktike për komunikimet institucionale dhe administrimin e dokumentacionit.

As statusi i kryetarit të bashkisë nuk krijon privilegje në paraburgim, as paraburgimi nuk mund të përdoret për të vendosur kufizime shtesë që nuk burojnë nga ligji.

Mangësi në dokumentacionin shoqërues dhe shqetësime për kujdesin shëndetësor

Monitorimi konstatoi se, në momentin e vizitës, në IEVP Fier kishte mbërritur vetëm dokumentacioni juridik i të paraburgosurit, ndërsa dokumentacioni mjekësor dhe psikosocial ende nuk ishte administruar.

Kjo situatë ngre shqetësime për respektimin e nenit 78 të ligjit nr. 81/2020 dhe të dispozitave përkatëse të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, që kërkojnë shoqërimin e personit të transferuar me dokumentacionin përkatës.

Mungesa e këtyre dokumenteve nuk përbën thjesht një mangësi administrative. Ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimin e nevojave individuale, vazhdimësinë e trajtimit dhe mbrojtjen e shëndetit.

I paraburgosuri deklaroi gjithashtu se kishte një frakturë në këmbën e majtë, për të cilën i ishte rekomanduar kontroll periodik radiologjik, dhe se ekzaminimi i radhës nuk ishte realizuar. Drejtuesit e IEVP Fier konfirmuan dijeninë për këtë problematikë dhe shprehën synimin për të mundësuar ekzaminimin gjatë javës pasardhëse.

KShH thekson se kujdesi shëndetësor nuk mund të presë përfundimin e procedurave burokratike, veçanërisht kur ekzistojnë rekomandime mjekësore dhe ankesa për dhimbje.

Kushtet e vendosjes dhe vlerësimi i sigurisë

Nga inspektimi në vend u konstatua se qelia ku Z. Erion Veliaj ishte vendosur fillimisht kishte dritare jofunksionale.

Gjithashtu, në të njëjtën hapësirë të institucionit ndodheshin sektorë që shërbenin për kategori të ndryshme personash, përfshirë persona nën mbikëqyrje të veçantë, persona në observim dhe persona të transferuar nga institucione të tjera.

I paraburgosuri deklaroi se ishte ndier i kërcënuar për shkak të pranisë në këtë hapësirë të një personi të dënuar për krime të rënda, ndaj të cilit kishte mbajtur më parë qëndrime publike.

Drejtuesit e institucionit deklaruan se ishin marrë masat e nevojshme për të shmangur kontaktet ndërmjet kategorive të ndryshme dhe se vlerësimi i riskut nuk kishte evidentuar rrezik konkret për jetën e tij.

KShH vlerëson se pretendimet për rrezik ndaj sigurisë personale kërkojnë vlerësim individual, të dokumentuar dhe të përditësuar. Masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe nuk duhet të sjellin kufizime të pajustifikuara të kushteve të jetesës, ajrimit apo kontakteve të lejuara.

Proporcionaliteti i transferimit dhe lidhjet me familjen

KShH vëren se vendndodhja e institucionit të paraburgimit ka rëndësi për ruajtjen e lidhjeve familjare, komunikimin me mbrojtësin ligjor dhe pjesëmarrjen në procesin gjyqësor.

Sipas standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, personat e privuar nga liria nuk kanë të drejtë absolute të zgjedhin institucionin ku mbahen, por autoritetet duhet të marrin në konsideratë ndikimin e vendndodhjes në jetën familjare dhe proporcionalitetin e kufizimeve.

Në këtë kuadër, mbetet për t’u sqaruar nëse, përpara vendimit të transferimit në Fier, janë shqyrtuar alternativa të tjera që do të garantonin sigurinë e të paraburgosurit, duke mundësuar njëkohësisht afërsi më të madhe me familjen, mbrojtësit ligjorë dhe gjykatën kompetente në Tiranë.

Rekomandimet dhe kërkesat e KShH-së

Në përfundim të monitorimit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve përkatëse me këto rekomandime:

Transparencë dhe verifikim të ligjshmërisë së transferimit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të sqarojë bazën ligjore konkrete, arsyet faktike dhe kriteret e sigurisë që kanë diktuar transferimin, si dhe nëse është përmbushur detyrimi për njoftimin e organit procedues.

Sqarimin e bazës ligjore të klasifikimit të urdhrit. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të identifikojnë dispozitat ligjore që justifikojnë klasifikimin, autoritetin përgjegjës, kategorinë përkatëse të informacionit sipas ligjit nr. 10/2023 dhe arsyet e përcaktimit të afatit dyvjeçar.

Garantimin e ankimit efektiv. Të paraburgosurit dhe mbrojtësit të tij t’u mundësohet njohja me urdhrin e transferimit ose me një version pjesërisht të deklasifikuar të tij, në masën e nevojshme për ushtrimin e së drejtës së ankimit, duke mbrojtur informacionin që ligjërisht kërkon ruajtje.

Rivendosjen pa vonesë të komunikimeve të ligjshme. IEVP Fier të mundësojë komunikimet me familjarët dhe personat e tjerë sipas legjislacionit në fuqi, duke shmangur vonesat e panevojshme administrative. Çdo kufizim duhet të ketë bazë të qartë ligjore.

Garantimin e kujdesit shëndetësor. Të sigurohet pa vonesë vlerësimi mjekësor dhe kryerja e ekzaminimeve të rekomanduara, sipas nevojës klinike, si dhe administrimi i plotë i dokumentacionit shëndetësor dhe psikosocial.

Rivlerësimin e kushteve të sigurisë dhe trajtimit. Të verifikohet përshtatshmëria e mjediseve ku është vendosur i paraburgosuri, të dokumentohet vlerësimi individual i riskut dhe të garantohet respektimi i standardeve për ajrimin, ndriçimin dhe trajtimin dinjitoz.

Shqyrtimin e alternativave të vendndodhjes. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të sqarojë nëse janë vlerësuar institucione të tjera paraburgimi më pranë familjes dhe gjykatës kompetente, dhe nëse zgjedhja e IEVP Fier ka qenë e nevojshme dhe proporcionale me rrethanat konkrete të sigurisë.

Sqarimin e mundësive për komunikim institucional. Autoritetet kompetente të shqyrtojnë, brenda kufijve të ligjit dhe pa cenuar procedimin penal, kërkesat për komunikime dhe administrim dokumentesh që lidhen me funksionin publik që i paraburgosuri vijon të mbajë.

Përmirësimin e garancive procedurale për të gjithë personat e privuar nga liria. Ministria e Drejtësisë të vlerësojë nevojën për plotësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, me qëllim përcaktimin e rregullave të qarta për njoftimin e urdhrave të transferimit, arsyetimin e tyre dhe mundësinë e kontrollit gjyqësor.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se gjetjet e këtij monitorimi nuk përbëjnë vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë e Z. Erion Veliajt dhe as mbi themelin e procedimit penal ndaj tij.

Ato lidhen ekskluzivisht me respektimin e të drejtave dhe garancive ligjore të një personi të privuar nga liria.

KShH vlerëson se disa prej problematikave të evidentuara kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa të tjera kërkojnë verifikim të mëtejshëm dhe sqarim nga autoritetet përgjegjëse.

Siguria e institucioneve penitenciare është detyrim i shtetit, por siguria nuk mund të përdoret si argument i përgjithshëm që përjashton transparencën, proporcionalitetin dhe kontrollin gjyqësor.

Në një shtet të së drejtës, privimi nga liria nuk nënkupton privimin nga të drejtat dhe asnjë urdhër administrativ, i klasifikuar ose jo, nuk duhet të mbetet jashtë kontrollit të ligjshmërisë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit do të vijojë të ndjekë trajtimin e këtij rasti dhe zbatimin e rekomandimeve, në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Lexo edhe

Asgjëson  21,226 kilogramë produkte mishi, vazhdon gjurmueshmëria

Asgjëson 21,226 kilogramë produkte mishi, vazhdon gjurmueshmëria

Shkrirja e akullit polar përshpejtohet, shkencëtarët paralajmërojnë pasoja afatgjata për Tokën

Shkrirja e akullit polar përshpejtohet, shkencëtarët paralajmërojnë pasoja afatgjata për Tokën

Ishte pranë kalimit te Real Madridi, ylli i Interit i nis negociatat me Barcelonën

Ishte pranë kalimit te Real Madridi, ylli i Interit i nis negociatat me Barcelonën

Telefonatat e bllokuara dhe urdhri i klasifikuar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime për Erion Veliaj | Momenti