Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka marrëdhënie të mira si me Rusinë, ashtu edhe me Kinën, duke pretenduar se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes diplomacisë.

Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, të premten, Trump tha se ka raporte të mira me shumë liderë botërorë, përfshirë ata të Moskës dhe Pekinit.
“Unë kam marrëdhënie të mira me Rusinë. Kam marrëdhënie të mira me Kinën. Kam marrëdhënie të mira me shumë njerëz”, deklaroi Trump.
Duke folur për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, presidenti amerikan tha se gjatë takimit dypalësh me Putinin kishte marrë sinjale se ai dëshiron një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Trump, megjithatë, vlerësoi se procesi i negociatave mbetet i vështirë, duke ia atribuar një pjesë të vështirësive marrëdhënieve të tensionuara mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij rus.
“Problemi është se presidenti Zelensky dhe presidenti Putin kanë një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj njëri-tjetrit, dhe kjo nuk është kurrë e lehtë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, takimi trepalësh mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, i mbajtur të enjten, nuk solli ndonjë përparim konkret në përpjekjet për përfundimin e luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë.
Nga ana tjetër, Putin shfrytëzoi takimin për të përsëritur kërkesat e tij lidhur me kushtet për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha.
Burimi: Sinjali





