Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Floridës në SHBA, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre të mitur, përpara se të qëllonte edhe veten.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, i dyshuari është identifikuar si Isaac Luechtefeld, 34-vjeçar me profesion mekanik. Ai dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, Raquel, po 34 vjeçe, me të cilën ishte i martuar prej 14 vitesh, si dhe tre fëmijët e tyre: Enoch, 5 vjeç, Hannah, 3 vjeçe dhe Job, vetëm një vjeç.
Tragjedia ndodhi në banesën e familjes, vetëm pak ditë pasi çifti kishte kaluar një mbrëmje romantike së bashku.
Momentet e fundit të familjes u regjistruan edhe gjatë një telefonate në numrin emergjent 911. Telefonata u bë pak para orës 15:30 dhe mbeti e hapur, duke bërë që operatori të dëgjonte atë që po ndodhte brenda shtëpisë.
Sipas raportimeve, në regjistrim dëgjohet njëri prej fëmijëve duke iu lutur të atit: “Babi, të lutem mos më qëllo, babi, të lutem mos më vrit!”, përpara se të dëgjohej një tjetër krismë arme.
Gjatë telefonatës, 34-vjeçari dëgjohet gjithashtu duke thënë “Më fal…”, përpara se të qëllonte me armë.
Forcat policore arritën në vendngjarje rreth 10 minuta pas telefonatës, por gjetën të pesë anëtarët e familjes pa shenja jete.
Motër e viktimës, Rebecca Uribe, ka deklaruar për mediat se asgjë nuk kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë. Ajo tregoi se çifti kishte dalë në një takim romantik të hënën, ndërsa nëna e saj ishte kujdesur për fëmijët, të cilët kishin kaluar natën në shtëpinë e gjyshes.
“Ata kishin dalë në një takim romantik të hënën. Nëna ime ishte kujdesur për fëmijët, të cilët kishin kaluar natën në shtëpinë e saj. Gjithçka dukej në rregull”, është shprehur ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





