Tri protesta të ndara do të mbahen sot në Prishtinë, ku organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe studentët do të shprehin pakënaqësitë dhe do të paraqesin kërkesat e tyre.

Protesta e parë është paralajmëruar për në orën 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”, nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
KOMF përfaqëson 35 organizata anëtare, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës ka 108 organizata anëtare. Përmes kësaj proteste, ato kërkojnë rritjen e buxhetit për shërbimet sociale, duke vlerësuar se mjetet e ndara aktualisht nuk i mbulojnë nevojat reale të këtij sektori.
Kërkesa e tyre u drejtohet 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve u bëhet thirrje që të sigurojnë financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale në kuadër të Buxhetit të vitit 2027.
Protesta e organizatave pritet të përfundojë në orën 11:00.
Një orë më vonë, në orën 11:00, protestë do të mbajnë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Sindikata e Re e Punëtorëve të KEK-ut ka paralajmëruar tubimin para Drejtorisë së KEK-ut, në objektin Toskan në Prishtinë.
Punëtorët kërkojnë rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagesës së pagës së 13-të.
Sipas sindikatës, përmes protestës synohet të kërkohet trajtim dinjitoz dhe vlerësim i drejtë për punën dhe sakrificën e punëtorëve.
Po ashtu, sindikata ka ngritur shqetësime lidhur me sëmundjet profesionale me të cilat, sipas saj, përballen disa punëtorë, duke shprehur dyshime se ato mund të jenë të lidhura me kushtet e punës.
Ndërkaq, protesta e tretë do të mbahet në orën 11:30, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, me organizim të Parlamentit Studentor.
Studentët kanë paralajmëruar protestë pas një emaili që, sipas tyre, përmban kërcënime nga rektori i Universitetit të Prishtinës.
Parlamenti Studentor i ka cilësuar të papranueshme kërcënimet dhe presionet, duke vlerësuar se veprime të tilla cenojnë sigurinë e studentëve, lirinë e shprehjes dhe mjedisin akademik.
Përmes protestës, studentët kërkojnë që Universiteti i Prishtinës të mbetet një hapësirë e sigurt, ku respektohen liria e shprehjes dhe parimet demokratike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





