Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e 1 nëntorit fshatin Demiraj të Gjilanit, ku brenda një shtëpie janë gjetur pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë e gjinisë femërore.

I riu është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa rasti ka marrë përmasa edhe më të rënda pas arrestimit të babait të tij, 65-vjeçarit Brahim Demiri, i cili dyshohet për përfshirje në këtë ngjarje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacionin për dy persona që dyshohej se kishin ndërruar jetë e kishte pranuar rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku vdekja e të dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Pas hetimeve fillestare, Policia ka bërë të ditur se dyshohet që rasti të ketë ndodhur brenda familjes, ndërsa si i dyshuar është arrestuar një 65-vjeçar, i identifikuar si babai i viktimës.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht nga burimet e saj se bëhet fjalë për Brahim Demirin, babanë e Adonis Demirit dhe gjyshin e foshnjës së ndjerë. I njëjti, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vogëlushen.
Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe motivi i mundshëm, mbeten ende për t’u zbardhur nga hetimet e organeve të drejtësisë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




