Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të së dielës në stacionin kryesor të trenit në Cyrih të Zvicrës, ku një 22-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga platforma në shina dhe është goditur nga një tren që po hynte në stacion.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, në Hauptbahnhof të Cyrihut, ndërsa rrethanat se si i riu përfundoi në shina ende nuk janë të qarta.
Sipas policisë kantonale të Cyrihut, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të shpëtimit, 22-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe vdiq në vendin e ngjarjes.
Ngjarja është parë nga disa persona që ndodheshin në stacion në atë moment, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Për shkak të asaj që kishin përjetuar, dëshmitarëve iu ofrua mbështetje psikologjike.
Policia kantonale dhe Prokuroria e Cyrihut-Limmat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Sipas gjetjeve të para, autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka indikacione për përfshirjen e një personi të tretë në këtë ngjarje.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar gjithashtu zjarrfikësit e Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), policia transportuese dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Cyrihut./Telegrafi/




