Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur Francën lindore mëngjesin e së premtes, më 6 nëntor, ku një autobus shkollor ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal pranë qytetit Lent.

Sipas informacioneve të prefekturës, të raportuara nga televizioni francez BFM TV, aksidenti dyshohet se ka shkaktuar disa viktima. Raportimet paraprake bëjnë të ditur se të paktën dy fëmijë mund të kenë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Tre prej tyre raportohet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryetari i bashkisë së Lent, Yves Cristin, ka bërë të ditur se autobusi fillimisht ka dalë nga rruga, për t’u përplasur më pas me një pemë në kanalin ku përfundoi. Ai ka raportuar gjithashtu për dy persona në arrest kardiak dhe një numër të konsiderueshëm të të plagosurve.
Ndërkohë, ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X se do të udhëtojë drejt vendit të ngjarjes.
Autoritetet franceze po merren me rastin, ndërsa rrethanat e aksidentit dhe bilanci përfundimtar i viktimave dhe të plagosurve ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




