Një person është arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se ka tentuar ta godasë me veturë një zyrtar policor, i cili i kishte dhënë shenjë për ndalim në një pikë kontrolli të automjeteve.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 nëntor, rreth orës 01:02, në rrugën “Rrust Kabashi” në Prizren.
I dyshuari, mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën me targa vendore, nuk i është bindur urdhrit të zyrtarit policor për ndalim dhe ka tentuar ta godasë atë me automjet, transmeton Klankosova.tv.
Pas kësaj, ai ka vazhduar rrugën dhe ka shkaktuar vetaksident. Në veturë ndodheshin edhe tre pasagjerë.
Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.





