Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të raportit të Qeverisë së Kosovës për të arriturat gjatë viteve 2021-2026.

Këtë raport e ka publikuar sot kryeministri Albin Kurti, duke përmbledhur sipas tij, të arriturat që janë shënuar gjatë qeverisjes së tij, përgjatë kësaj periudhe.
Por, kreu i Aleancës, ka bërë 19 pyetje për qytetarët, sa i përket asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 2021-2026.
“Qeveria ka publikuar raportin e të arriturave të saj. Ju ftoj ta lexoni dhe ta krahasoni me përvojën tuaj gjatë këtyre viteve. A jetojmë më mirë se në vitin 2021? A blejmë më shumë me të ardhurat tona? A e përballojmë më lehtë koston e jetesës? A na mbeten më shumë para në fund të muajit? A kemi shëndetësi më të mirë? A kemi arsim më cilësor? A kemi rrugë dhe infrastrukturë më të mirë? A po përfundojnë projektet publike me kohë? A po realizohen investimet e premtuara? A kemi furnizim më të mirë me energji elektrike? A paguajmë më pak për të njëjtën sasi të energjisë elektrike? A është bërë më i përballueshëm çmimi i banimit? A kemi kushte më të mira për të bërë biznes? A kemi më shumë vende cilësore të punës? A është zvogëluar emigrimi i të rinjve? A marrim shërbime më të mira nga institucionet publike? A kemi më shumë transparencë dhe llogaridhënie? A është forcuar pozita ndërkombëtare e Kosovës? * A jemi më afër anëtarësimit në BE dhe NATO?”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ai ka thënë se rezultatet e një duhet të maten me disa faktorë, dhe sipas tij, qytetarët duhet ta bëjnë këtë krahasim.
“Rezultatet e një qeverie duhen vlerësuar duke krahasuar premtimet me realizimin, investimet me rezultatet dhe statistikat me cilësinë e jetës së qytetarëve. Secili prej nesh mund ta bëjë këtë krahasim.”, ka thënë Gjini. /Klankosova.tv





