Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar për nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me komunat e Klinës, Obiliqit, Kamenicës dhe Mamushës për restaurimin e lumenjve dhe zbatimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë.
“Pas vendimit për ndalimin e betonimit të lumenjve që morëm në muajin prill të këtij viti, sot po hedhim hapin e radhës drejt mbrojtjes së ujërave tona”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Memorandumet janë nënshkruar në kuadër të Programit IWRM-K, i bashkëfinancuar nga Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas Pacollit, kjo qasje e re sjell ndërhyrje që respektojnë ekosistemet dhe ulin ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet, duke përfshirë rikthimin e bimësisë përgjatë brigjeve, largimin e barrierave që pengojnë rrjedhën natyrore dhe krijimin e më shumë hapësirave të lira për lumenjtë.
“Obiliqi, Kamenica, Klina dhe Mamusha do të jenë komunat e para që do ta zbatojnë këtë model të ri, i cili do të vendosë standardin për të gjitha projektet e ardhshme ujore në Kosovë”, ka theksuar ministrja.
Ajo ka njoftuar se brenda gjashtë muajve, në bashkëpunim me IWRM-K, do të hartohet edhe udhëzuesi me standardet për zgjidhjet e bazuara në natyrë, që do të zbatohet në projektet e lumenjve në të gjithë vendin.
“Po i japim fund praktikave që dëmtojnë lumenjtë. Ne investojmë vetëm në zgjidhje që mbrojnë natyrën dhe qytetarët tanë!”, ka shkruar Pacolli.
Burimi: RTKLive





