Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Tahiri e ka cilësuar këtë rast si një gabim të madh të Bashkimit Evropian, duke kërkuar që BE-ja të kërkojë falje, ndërsa në Prishtinë të ketë dorëheqje.
Përmes një reagimi, deputeti i Aleancës ka kritikuar qasjen e pushtetit, duke e lidhur atë me atë që ai i ka cilësuar si premtime dhe mashtrime, si dhe me gatishmërinë për të bërë lëshime.
“Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd! Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje e në Prishtinë dorëheqje”, ka thënë Tahiri.
Burimi: Insajderi





