Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar në Tokio të Japonisë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

I ftuar nga ambasadori shqiptar në Japoni, Ermal Muça, Sveçla ka takuar edhe disa zyrtarë të lartë japonezë dhe ndërkombëtarë.
Përmes një postimi, ai ka theksuar rëndësinë historike të kësaj date për kombin shqiptar.
“Pavarësia e Shqipërisë shënon një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, duke përfaqësuar sakrificën, qëndresën dhe përpjekjet e brezave për liri e çlirim. Ajo mbetet dëshmi e idealeve dhe rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e lidhjes së pashkëputur mes shqiptarëve, kudo që jetojnë”, ka shkruar Sveçla, transmeton Klankosova.tv.
Ai bëri të ditur se gjatë ceremonisë pati rastin të bashkëbisedojë me zyrtarë të lartë të Japonisë, përfshirë zëvendësministren parlamentare të Punëve të Jashtme, Akiko Ikuina, dhe ministrin e Shtetit, Minoru Kiuchi.





