Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia Adam në jug të Francës.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar vërshime të mëdha, kanë mbuluar rrugët me ujë dhe kanë ndërprerë qarkullimin rrugor e hekurudhor.
Në mesin e viktimave janë dy gra, 86 dhe 26 vjeçe, të cilat janë gjetur të mbytura në një bodrum në rajonin Bouches-du-Rhône.
Moti i keq ka goditur edhe ishullin e Korsikës. Sipas raportimeve të mediave lokale, të martën një automjet është marrë nga rrjedha e ujërave të përmbytjes. Njëri nga personat që ndodheshin brenda ka arritur të shpëtojë duke dalë nga dritarja, ndërsa një tjetër është gjetur i vdekur. Autoritetet ende nuk kanë publikuar hollësi të tjera për viktimën e katërt.
Përmbytjet kanë detyruar dhjetëra banorë në qytetet Mouriès dhe Saint-Martin-de-Crau, mes Montpellier dhe Marsejës, të strehohen në qendra emergjente. Zyrtarët kanë njoftuar se në këtë zonë është lënduar edhe një person.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




