Njoftimi për arritjen e kontingjentit të parë të protezave në Klinikën e Ortopedisë, u dha më 28 tetor të këtij viti.

Madje, u bë e ditur që shpejt do të nisin me vendosjen e protezave në kërdhokull, jo vetëm në QKUK, por edhe në spitale regjionale, me qëllim zvogëlimin e listave të pritjes disa vjeçare.
Kësisoj edhe para dy ditësh, Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, në krye me drejtorin Afrim Cana, me pompozitet njoftuan qytetarët përmes Facebook, se do të fillojnë për herë të parë operacionet për vendosjen e protezave si dhe kanë nisur kontaktimin e pacientëve në pritje.
Por, këto materiale ende nuk i ka marrë spitali publik në Gjilan, as për raste urgjente dhe as ato në pritje.
Një qytetar rrëfen për televizionin se si u detyrua ta blejë protezën për familjarin e tij në moshë, që nuk ka kohë të pres për shkak të thyerjes që e ka pësuar.
Këtij iu përshkrua në udhëzim se cilën duhet ta blejë dhe ku.
Pos protezës, iu tha që as penj s’ka.
Ky përcjellës shprehet i zhgënjyer për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia publike, teksa thotë se vet pati mundësi financiare, por që ka takuar të tjerë me të njëjtin hall dhe që nuk kanë para.
Ekipi i televizionit ka qëndruar për disa orë në këtë institucion spitalor lidhur me disa tema, megjithatë drejtori Cana u bë i paqasshëm në telefon, posa e kuptoi përmes mesazheve që ekipi i Klan Kosovës ishte aty. Madje, as në zyrë thanë që nuk është.




