Skandalet në institucionet e sigurisë po e dëmtojnë besimin e qytetarëve në shtet – rrezikohet edhe siguria kombëtare

Skandalet në institucionet e sigurisë po e dëmtojnë besimin e qytetarëve në shtet – rrezikohet edhe siguria kombëtare

Skandalet në institucionet e sigurisë po e dëmtojnë besimin e qytetarëve në shtet – rrezikohet edhe siguria kombëtare

Shkruan: Bedri Elezi

Sponsor 3M Express

Rasti i fundit, ku Inspektorati Policor i Kosovës rekomandon suspendimin e drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit publik, është një tjetër sinjal serioz për funksionimin dhe integritetin e institucioneve tona të sigurisë.

Ajo që e bën këtë rast edhe më shqetësues është fakti se dyshimet lidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, përfshirë procedura të negociuara dhe konfidenciale. Pikërisht këtu duhet të ngrihen pyetje serioze institucionale: kush i ka iniciuar këto procedura, kush i ka miratuar, kush ka përfituar dhe cilët mekanizma të kontrollit kanë dështuar që të parandalojnë apo identifikojnë me kohë parregullsitë e mundshme?

Duhet të kuptojmë se Policia e Kosovës nuk është një institucion i zakonshëm administrativ. Ajo është një nga shtyllat kryesore të sigurisë publike dhe të rendit kushtetues. Për këtë arsye, çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës, konflikt interesi apo cenim të integritetit në brendësi të saj nuk duhet trajtuar vetëm si çështje individuale penale, por edhe si çështje e sigurisë dhe besueshmërisë institucionale.

Rreziku më i madh nuk është vetëm dëmi eventual financiar, por dëmtimi i besimit publik në shtet. Kur qytetarët përballen vazhdimisht me raste të dyshuara të keqpërdorimit të detyrës në institucione të rëndësishme, krijohet bindja se institucionet nuk funksionojnë gjithmonë në interes të publikut, por mund të jenë të ekspozuara ndaj interesave private, grupeve të caktuara apo ndikimeve të jashtme.

Ky erozion i besimit publik mund të prodhojë pasoja shumë më të gjera sesa ato administrative apo financiare. Ai mund të dobësojë autoritetin e shtetit, gatishmërinë e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet dhe besimin në mekanizmat e zbatimit të ligjit. Në një ambient të tillë, krijohen hapësira që mund të shfrytëzohen nga krimi i organizuar, grupet me interesa të paligjshme dhe aktorë të jashtëm që synojnë të ndikojnë apo destabilizojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Prandaj, nuk duhet nënvlerësuar as dimensioni i sigurisë kombëtare. Një institucion policor me integritet të cenuar, me mekanizma të dobët kontrolli ose me vendimmarrje të ekspozuar ndaj konfliktit të interesit, mund të bëhet më i cenueshëm edhe ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve që synojnë dobësimin e besueshmërisë së shtetit.

Në këtë drejtim, rekomandimi i IPK-së për suspendim duhet të shoqërohet me një hetim të plotë, profesional dhe të pavarur, i cili nuk duhet të kufizohet vetëm te një zyrtar. Duhet të shqyrtohet i gjithë zinxhiri i vendimmarrjes, përgjegjësitë mbikëqyrëse, procedurat e prokurimit dhe çdo lidhje e mundshme e interesave që mund të ketë ndikuar në proces.

Po ashtu, duhet të bëhet një auditim i kontratave përkatëse dhe të vlerësohet nëse procedurat e negociuara dhe konfidenciale janë përdorur në përputhje me ligjin dhe nëse ekziston ndonjë dëm eventual për buxhetin e shtetit.

Shteti nuk mund ta kërkojë besimin e qytetarëve vetëm përmes deklaratave, por duhet ta dëshmojë atë përmes llogaridhënies dhe integritetit institucional.

Nëse institucionet tona të sigurisë nuk arrijnë të garantojnë transparencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi brenda vetë strukturave të tyre, atëherë kemi të bëjmë me një problem që tejkalon një rast të vetëm dhe që kërkon reagim serioz në nivel institucional.

Kosova ka investuar shumë në ndërtimin e institucioneve të sigurisë. Prandaj, është e papranueshme që besimi i ndërtuar me vite të rrezikohet nga praktika të mundshme të keqpërdorimit dhe mungesa e llogaridhënies.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por as askush nuk duhet të shpallet fajtor pa një vendim gjyqësor. Ajo që duhet të jetë e pakompromis është hetimi, transparenca dhe përgjegjësia institucionale.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Juventusi merr fitoren e radhës në Ligën e Evropës, mposht AZ Alkmaarin

Juventusi merr fitoren e radhës në Ligën e Evropës, mposht AZ Alkmaarin

U zhduk katër ditë nga familja strehuese nga Ferizaj, 13-vjeçari dërgohet në strehimore

U zhduk katër ditë nga familja strehuese nga Ferizaj, 13-vjeçari dërgohet në strehimore

Mijëra qytetarë protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve në sektorin publik

Mijëra qytetarë protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve në sektorin publik