Radio Televizioni i Sllovenisë (RTV Slovenia) nuk do të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision 2027, i cili pritet të mbahet në maj në qytetin bullgar të Burgasit, për shkak të vështirësive financiare.

Ndryshe nga ky vit, kur Sllovenia bojkotoi festivalin në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit dhe luftës në Gaza, këtë herë vendimi për tërheqje lidhet me mungesën e mjeteve financiare për të përballuar pjesëmarrjen.
Drejtoresha e RTV Slovenia, Ksenija Horvat, deklaroi se buxheti për vitin e ardhshëm është aq i kufizuar, saqë pjesëmarrja në Eurovision nuk është më e mundur.
“Për vitin e ardhshëm, nuk kemi privilegjin të shprehim dyshime themelore, sepse në vitin 2027 do ta përgatisim programin në RTV Slovenia me aq pak para sa pjesëmarrja në përzgjedhje nuk është më as teorikisht e mundur”, tha Horvat, raporton agjencia STA.
Menaxhmenti i transmetuesit publik bëri të ditur se për shkak të kufizimeve financiare është detyruar të heqë dorë edhe nga projekte dhe përmbajtje të tjera programore që kishte planifikuar për vitin e ardhshëm.
Vështirësitë financiare të RTV Slovenia lidhen me të ardhurat e kufizuara nga abonimet, rritjen e kostove të pagave, energjisë dhe prodhimit, si dhe rënien e të ardhurave nga reklamat. Institucioni përballet gjithashtu me rritjen e çmimeve të të drejtave televizive dhe vonesa në financimin nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, Sllovenia nuk është vendi i vetëm që do të mungojë në edicionin e ardhshëm. Irlanda, Holanda dhe Islanda kanë njoftuar gjithashtu se nuk do të marrin pjesë në Eurovision 2027, pas bojkotit të edicionit të këtij viti për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Sipas të dhënave të fundit të raportuara, në Eurovision 2027 pritet të marrin pjesë 36 shtete. Në mesin e tyre janë Kanadaja, e cila do të debutojë në këtë festival, dhe Maqedonia e Veriut, që rikthehet pas pesë vitesh mungesë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





